Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH) në mbledhjen e rregullt të mbajtur sot ka folur për gjendjen e pandemisë në komunën e Vitisë.
Në këtë mbledhje zv/kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, ka potencuar se janë edhe 61 raste aktive me COVID-19 në këtë komunë ndërsa nga 232 qytetarë janë shëruar 157 prej tyre.
Ai kërkoi nga qytetarët që të respektojnë masat kundër përhapjes së këtij virusi, të mbajnë maskat, të ruajnë distancën dhe të mbajnë higjienën personale.
Aliu tha se vetëm kështu mund të ulët numri i të infektuarave dhe ruhet shëndeti publik.
Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, bëri me dije se vetëm dje policia në Viti, ka lëshuar 100 fletëparaqitje ndaj personave që nuk respektuan masat kundër virusit COVID-19.
Ai bëri me dije se kontrolle të tilla do të bëhen vazhdimisht në bashkëpunim me inspekcionin dhe do të lëshohen fletëparaqitje për personat që nuk respektojnë masat kundër përhapjes së këtij virusi pandemik.
Ndërsa, Skënder Ahmeti, drejtor i Inspekcionit në Viti, tha se inspekcioni është duke punuar ngushtë me policinë që të respektohen masat kundër këtij virusi dhe bëri me dije se inspekcioni në Viti është duke vazhduar me dërgimin e urdhëresave për vetë izolim të personave të prekur me virus.
Poashtu gjatë këtij takimi zv/kryetari Aliu, bëri me dije se shkaku i një stuhie dhe breshëri që ka rënë ditëve të fundit ka dëme edhe në sektorë bujqësor dhe ekonomitë familjare dhe do të shikohen mundësitë që komisionet përkatëse të evidentojnë dëmet dhe që në të ardhmen të kërkohet ndihmë nga organet përgjegjëse që ata të dëmshpërblehen.