Autoritetet policore kanë raportuar për një rast “Grabitje e armatosur në tentativë”, që ka ndodhur në fshatin Kmetoc të Gjilanit. Një i maskuar dhe i armatosur ka dashur të kryej një grabitje në një Pikë Karburanti në rrugën Gjilan Kamenicë, në dalje të fshatit Kmetoc, por nuk ia ka arritur, megjithatë ai ka plagosur punëtorin e asaj pike karburanti dhe ka ikur në malin pas objektit të pompës.
Duke folur për rastin, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Policia e Kosovës, Stacioni Policor i Gjilanit, është njoftuar se në Emergjencë këtu në Gjilan është sjellë një person, i plagosur me armë zjarri.
“Derisa viktima, me tre familjarë, ishte në vend të punës, në një pikë karburanti në rrugën Gjilan Kamenicë, në dalje të fshatit Kmetoc, është plagosur nga një person i maskuar dhe i armatosur me armë zjarri-revole. I maskuari kishte tentuar të grabisë viktimën, duke shtënë disa herë me armë, me ç ‘rast ka goditur viktimën në regjionin e krahut të majtë. I dyshuari ka ikur këmbë në malin që gjendet pas objektit të pompës”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, viktima është dërguar nga Qendra Emergjente e Gjilanit e më pas për në QKUK-Prishtinë. Fatmirësisht gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.
Është njoftuar prokurori i shtetit për rastin. Rasti nën hetime