Sot, në Kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë të Kosovës, dhe nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt, u mbajt manifestimi qendror në shënimin e 20-të vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në nderim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit të rënë për liri.
Të pranishëm në manifestim ishin presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, Rifat Jashari, ministra, deputet, veteranë, invalidë, familjarë të dëshmorëve, qytetarë dhe nxënës të shkollave të Kosovës.
Pas revistës së kuadrateve të FSK-së, nga presidenti Hashim Thaçi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, manifestimi filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar. Pastaj, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramarush Haradinaj, ministri i MFSK-së Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari vendosen kurora lulesh pranë Obeliskut të dëshmorëve, në kujtim dhe nderim të gjithë dëshmorëve të kombit.
Në manifestimin jubilar të njëzetë vjetorit të Epopesë së UÇK-së, presidenti Hashim Thaçi, në fjalën e tij pos tjerash tha: “Para dy dekadave Kosova sublimoi tërë historinë e përpjekjeve shekullore për liri dhe pavarësi, duke iu kundërvënë aparatit administrativ, policor dhe ushtarak të Beogradit. Kjo kundërvënie u bë përmes rezistencës së armatosur, luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila doli nga gjiri i qytetarëve tanë. Qëndresa e komandantit Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tij u shndërrua në masivizim dhe zgjerim të jashtëzakonshëm të radhëve të UÇK-së”.
Presidenti Thaçi, para pjesëtarëve të FSK-së, shtoi se: “Ju jeni në themelet e identitetit tonë si shtet i pavarur, që prej kohës së transformimit deri në strukturimin e sotëm. Duke marrë parasysh përgatitjen tuaj, bashkëpunimin e suksesshëm dhe përkrahjen që keni nga KFOR-i dhe NATO-ja, ju faktikisht po dëshmoni pjekurinë dhe aftësinë për të ushtruar misionin tuaj themelor, atë të Forcave të Armatosura të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “Niveli i përgatitjes suaj në shumë dimensione, është më i mirë se i forcave të armatosura të rajonit. Jam i bindur se ky hap final i bërjes së Kosovës me Forcat e Armatosura, pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-të, KFOR-in dhe NATO-n, është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, të të gjitha komuniteteve, të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe rajon. Ne duam dhe synojmë që Forcat e Armatosura të bëhen me ndryshime kushtetuese, duke u bashkuar në Kuvendin e Kosovës, vullnetin politik të të gjitha komuniteteve, por në të njëjtën kohë, nuk do të lejojë askënd të vejë veto të pakufishme për të drejtën tonë legjitime dhe legale”, ka thënë presidenti Thaçi, në fjalën e tij, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se “Sot, kur para nesh parakalon Forca e Kosovës, në fytyrat e tyre shëmbëllejnë ushtarët e lirisë. Ju, që po krijoni një imazh të ri të Kosovës me shumë mund e shumë sakrifica me mbështetjen e aleatëve tanë strategjik, së shpejti do të merrni edhe besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s. Ushtri që në zemër dhe në shpirt mban flakën e lirisë të ndezur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e që është e gatshme sot të njohë dhe të mbrojë diversitetin kulturor e etnik të vendit tonë, lirinë e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë, shqiptarëve dhe të gjitha komuniteteve. Ju, në rrethana paqeje do të shërbeni kudo që e kërkon Aleanca Veri-Atlantike, aty ku do të jetë edhe qëllimi Ynë!
Pra, ushtarë e oficerë, Forca e Sigurisë së Kosovës, të gjithë ju prezentë, sot ne mund të kthehemi të nderojmë dhe kujtojmë me respekt të rënët për liri, të kujtojmë me respekt Epopenë e UÇK-së dhe rënien heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të betohemi në drejtimin tonë për një liri të përjetshme”, tha në fund të fjalës së tij, kryeministri Haradinaj.
Kurse vëllai i komandantit legjendar Adem Jasharit, Rifat Jashari, në emër të familjes Jashari kërkoi bashkimin e shqiptarëve për ta quar vendin përpara. Ai tha se sot po kujtojmë të gjithë të rënët në Kosovë. “Sot jemi tubuar në 20 vjetorin të Epopesë së UÇK-së të përkujtojmë bijtë dhe bijat mbarë kombit shqiptar që ditë ti kapin armët dhe ti kundërvihen forcave serbosllave, që dikur ata kanë zotëruar këtë vend ku jemi ne sot. Ne pasardhësit e tyre e kemi obligim moral dhe të domosdoshëm për hirë të bijave dhe bijve, për hirë të gjakut dhe të luftës, të ulemi dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të qojmë Kosovën përpara, ashtu siç na ka hije, si popull dhe si komb”.
Në përfundim të manifestimit Trupa Muzikore e FSK-së, ekzekutoi disa pika muzikore me motive nga tradita, rezistenca dhe kultura e vendit tonë.