DYLON

Kthehet pauza në Administratë, me këtë edhe kallaballëku para dere!

Kthehet pauza në Administratë, me këtë edhe kallaballëku para dere!
Avatar photo Redaksia

Pas më se katër vitesh, është kthyer pauza e rregullt (12:00 – 13:00), në Administratën Komunale në Gjilan, e me mbylljen e dyerve në këtë interval kohor, është kthyer edhe pamja e grumbullit të qytetarëve para dyerve të Administratës duke pritur orën 13:00, të hapet dera, siç shihet edhe në këto foto.

Përndryshe, për dallim prej drejtorive tjera, deri më sot Administrata nuk i kishte mbyllur dyert as në këtë kohë (12:00 – 13:00), pasi drejtuesit e saj kishin gjetur alternativë tjetër, duke pauzuar punëtorët parcialisht, dikush një orë më herët e dikush në kohë të rregullt, por që qytetarët që kanë kërkuar shërbime, i kanë pasur zyrtarë brenda, në çdo kohë, përgjatë orarit të punës.

E, ish drejtori i deridjeshëm, Nazim Gagica, nuk e sheh me sy të mirë këtë kthim të pauzës, për të gjithë në të njëjtën kohë, pasi dyert e Administratës po mbyllen për qytetarët për një orë, gjë që nuk kishte ndodhur sa ai ishte në krye të Administratës.

EkoHigjiena

Siç dihet, Gagica, në zgjedhjet e fundit lokale kishte fituar ulëse në Kuvendin Komunal të Gjilanit dhe ishte liruar nga detyra e drejtorit, ashtu si e parasheh ligji.

Përndryshe, i pyetur nga Portali 2LONLINE, se si e sheh këtë veprim, ai tha se pas katër viteve, po mbyllen dyert e Administratës dhe kjo nuk është mirë edhe pse pauza nuk është e lehtë të menaxhohet, sidomos me staf të reduktuar.

Gagica thotë se megjithatë nuk është dashtë të rivendoset pauza prapë sepse u pamundëson marrjen e shërbimeve atyre që shfrytëzojnë pauzën e tyre për të marr shërbime, gjithashtu krijohen tollovi në Administratë sepse tani punohet një orë më pak, në krahasim me katër vitet e kaluara.

Po ashtu, Gagica thotë se në ora 12:00, duhet me i nxjerr të gjithë qytetaret jashtë për shkak të pauzës edhe pse qytetari në ato momente ka mundur të jetë para sportelit.

“Gjithashtu grumbullimi i qytetarëve para dyerve të administratës deri sa të hapen dyert, pra prej orës 12:00 – 13:00, jo vetëm që krijon tollovi, por është edhe jo e këndshme për sytë e qytetarëve. Ju kujtoj se eliminimi i pauzës është bërë më datë 27 shkurt 2014, e deri më sot, kur është kthye prapë”, ka thënë  për 2LONLINE, Nazim Gagica, ish drejtor i deridjeshëm i Administratës Komunale.