Në Kamenicë është hapur zyrtarisht të enjten shkolla e Muzikës, paralele e ndarë e shkollës së Muzikës në Gjilan.
Gjatë hapjes së shkollës të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, Drejtorin e Shkollës së Muzikës në Gjilan, Kushtrim Jakupi, Drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Arianit Ibrahimi, si dhe Udhëheqësin e Sektorit të Arsimit, Drilon Ramabaja.
I pari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, u shpreh i lumtur që fëmijëve të komunës sonë, po u krijohen kushte dhe mundësi të reja për zhvillim e avansim.
“Sot është njëra ndër ditët e mia më të lumtura. Kjo për faktin se tash e tutje fëmijët e komunës sonë do të kenë mundësi të reja për zhvillim e avansim. Me hapjen e paralelës të shkollës së muzikës në Kamenicë, nxënësitë e komunës sonë do të kenë mundësi që mësimet t’i ndjekin në komunën tonë pa pasur nevojë të udhëtojnë në Gjilan”, tha Kastrati.
Kastrati për hapjen e kësaj paralele në Kamenicë tha se është falënderues ndaj komunës së Gjilanit për bashkëpunimin.
“Po ashtu, falënderoj edhe Komunën e Gjilanit, drejtorin e Arsimit të kësaj komune Nazim Gagica, si dhe drejtorin e Shkollës së Muzikës, Kushtrim Jakupi, të cilët që nga momenti i parë kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë e ndërveprojnë me komunën tonë. Urime të gjithëve e na priftë e mbara”, shtoi Kastrati.
Ndërsa, drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica tha: “Së bashku me Kryetarin e Komunës së Kamenicës z. Qendron Kastrati, drejtorin e shkollës së Muzikës z. Kushtrim Jakupi, u.d. të drejtorit të DKA-së në Kamenicë z. Drilon Ramabaja, vizituam hapësirat ku nxënësit e kësaj komune do t’i vijojnë mësimet. Falënderojmë Kryetarin e Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri për përkrahjen dhe mbështetjen që dha në realizimin e ketij projekti të shumëpritur.
Gagica ka falënderuar edhe kryetarin e Kamenicës për krijimin e kushteve shumë të volitshme për nxënësit të cilët do të vijojnë mësimet në këtë shkollë.
“Urime nxënësve të Komunës së Kamenicës të cilët mësimet do t’i vijojnë tani në Komunën e tyre”, ka thënë Gagica.
Në fund të ceremonisë zyrtare për hapjen e shkollës, performuan edhe nxënësitë e Komunës së Kamenicës të cilët kanë vijuar mësimet në Shkollën e Muzikës në Gjilan.
Ndryshe, hapja e kësaj paralele të muzikës është bërë me marrëveshje bashkëpunimi në mes të Komunës së Kamenicës dhe asaj të Gjilanit, që dega e “Shkollës së Muzikës” të hapet dhe të funksionojë në Kamenicë. /2LONLINE.com/