(2L ONLINE) – Qytetarët e rrugës “Avdullah Presheva” të Gjilanit thonë se janë në hall me një kanalizim me të cilën assesi nuk po bëhen rehat. Hysen Hoxha, njëri nga qytetarët e kësaj lagje i ka thënë Portalin 2L ONLINE se më parë ai mbyllej shpesh, për shkak të rrjetit të dëmtuar dhe vitin e kaluar është kryer projekti i kanalizimit të ri, i cili ka përfshirë edhe këtë pjesë, por se rrjeti i ri nuk është funksional për rrugën në fjalë, sepse nuk është bërë lidhja mirë me atë pjesë të rrjetit të vjetër ku nuk ka pas ndërhyrje.
“Ajo ka ngelur tani më poshtë se pjesa e re e kanalizimit dhe se tani uji nuk qarkullon fare në pjesën tonë ku jemi diku rreth 50 shtëpi. Kanalizimi te ne nuk e ngre fare. Nuk rrihet nga era që kundërmon, pusetat rrinë mbushur përherë”, ka thënë Hoxha.
Bile, ai thotë se tani me qëllim që të mos u kthehen ujërat e zeza dhe pisllëku brenda në shtëpi sikur edhe para se të ndërtohej kanalizimi i ri, ata e kanë mbyllë dhe nuk e përdorin rrjetin ekzistues, por gjejnë alternativë duke përfshirë këtu edhe largimin e ujërave të zeza nga oborri me anë të pompave të ujit.
Më së keqi është kur ka të reshura atmosferike sepse atypari bëhet si lum dhe vështirë është edhe të kalohet sepse nga pusetat dalin papastërtitë dhe ujërat e zeza përpjetë”, thotë Hoxha.
Ai tha se qytetarët e kësaj rruge ndonëse u patën gëzuar investimit të rrjetit të kanalizimit, tani janë thellësisht të dëshpëruar për punën e bërë aty, sepse po del se nuk është bërë asgjë, pasi ata prapë e kanë të njëjtin problem.
“Ne kemi bërë sërish peticion në komunë që të zgjidhet kjo situatë, por deri më sot nuk ka përgjigje. Me gjendjen në terren janë të njoftuar edhe drejtuesit më të lartë të komunës. Kemi qenë edhe te drejtori i Shërbimeve Publike i cili ka kërkuar durim nga ne, sepse do të rregullohet kjo punë, por se neve po na soset durimi, pasi në terren nuk ka lëvizje pozitive”, thotë Hoxha.
Ai tha se atypari po rregullohet lumi, por banorët janë të vendosur që nëse nuk merren masa për tu evituar edhe kjo problematikë, atëherë do të reagojnë më ashpër dhe nuk do të lejojnë të punojnë me lumin, pa u rregullua paraprakisht edhe kanalizimi.
Përndryshe, 2lonline kishte shkruar edhe më herët për këtë problematikë kur ishte e pa kryer projekti i kanalizimit të ri dhe ndonëse vitin e kaluar ishte kryer, megjithatë doli se nuk ka bërë zgjidhje për këtë rrugë.
Më poshtë keni fotot nga kjo lagje nga arkiva për problematikën në fjalë. /2L ONLINE/