Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me drejtoreshën e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Christina Davis, të hënën kanë inauguruar projektin për avancimin e zyreve të prokurimit, me të cilin projekt promovohet-rritet transparenca, efikasiteti dhe llogaridhënia në proceset e prokurimit publik.
“USAID, përmes aktivitetit Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, dhe Komuna e Gjilanit, bashkëfinancuan avancimin e zyreve komunale të prokurimit, duke e pajisur komunën me pajisje dhe inventarë për sallën e hapjes dhe vlerësimit të ofertave, me çka e ndihmon komunën për t’i modernizuar dhe profesionalizuar këto procese kyçe të prokurimit, si dhe siguron hapësira të mjaftueshme për të mundësuar një mjedis pune transparent gjatë procesit të hapjes dhe vlerësimit të ofertave”, ka deklaruar Davis, pas inaugurimit të investimeve.
Ajo tha se janë të kënaqur që e kanë pasur mundësinë të bashkëpunojmë me kryetarin Haziri dhe Komunën në përgjithësi.
“Përveç kësaj, sistemi i ri i arkives do t’u ndihmojë zyrtarëve komunalë të prokurimit që t’i sigurojnë shënimet e prokurimit dhe të kenë qasje në to, duke promovuar aftësinë e komunës për t’i menaxhuar dokumentet e veta në mënyrë efektive, si dhe duke zvogëluar mundësisë që individët të mund të kenë qasje të papërshtatshme dhe t’i manipulojnë të dhënat e prokurimit. Ngjashëm, sistemi i vëzhgimit përmes kamerave të sigurisë të instaluara në sallën e hapjes-vlerësimit të ofertave dhe arkivit rrisin nivelin e sigurisë për shënimet vitale komunale”, ka shtuar ajo.
Ndërkohë, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, theksoi se sivjet po bëhen 20 vite të fillimit të bashkëpunimit mes Gjilanit dhe USAID.
“Zyra e Prokurimit, Drejtoria e Buxhetit, Zyra e Personelit, Zyra e Auditimit të brendshëm dhe Zyra për Informim, janë disa nga zyrat që ne kemi pranuar mbështetje në ndërtim të kapaciteteve njerëzore dhe marrjes së njohurive të mira për të rritë transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënjen. Gjilani e ka pasur fatin e keq sepse është dashur të suspendohen 45 punëtorë për të preventuar korrupsionin dhe format korruptive sipas vendimit të gjykatave dhe Zyra e Prokurimit ka mbetur në duartë e një heroine, e cila i ka rezistuar duke mos qenë pjesë e këtij procesi”, ka thënë kryetari Haziri.
“Tash po ndërtohen kapacitetet me ekipe të reja, kemi shpallur konkurset publike për ta dhe do të vazhdojmë t’i plotësojmë këto vende. Ndërsa, me këtë projekt shumë të rëndësishëm, kemi ngritur efikasitetin në punë, kemi shtuar sigurinë përmes monitorimit 24 orësh gjatë çdo dite të javës përmes sistemit të kamerave, kemi përmirësuar sistemin e ruajtjes së dokumentacionit në arkivën elektronike si dhe jemi përmirësuar kushtet që operatorët ekonomik dhe organizatat e shoqërisë civile të marrin pjesë ne procese të hapjes së ofertave. Këtë mund ta bëjë veç USAID-i dhe shpresojë që do të jemi njëra nga komunat e para që do të gradohet në këto shërbime dhe të jemi shembulli më i mirë për këto shërbime. Ju faleminderit shumë USAID’it për mbështetjen e vazhdueshme”, theksoi Haziri.