(2L ONLINE) – Në Komunën e Gjilanit është bërë sot hapja e panairit të librit i 42 – ti me radhë në të cilin kanë marrë pjesë 21 shtëpi botuese nga treva të ndryshme dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme edhe të art-dashësve dhe lexuesve, e cila është organizuar nga Komuna e Gjilanit dhe Ars klubi “Beqir Musliu” e mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Gjilani qytet i librit dhe dashamirë i artit ishte kryefjala e folësve në këtë takim me shumë rëndësi të zhvillimin dhe rritjen e fuqisë së përhapjes së librit dhe laramanisë së shkrimeve.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka shpallur të hapur këtë panair ka informuar se të gjitha përgatitjet janë bërë që kjo ngjarje të jetë një takim për së afërmi i poetëve me lexuesit e tyre.
“Ky panair po na vjen me borën e parë në Gjilan. Jam i nderuar që edhe unë po kthehem bashkë me librin në detyrë dhe në traditën e organizimit të panairit të librit në Gjilan e që është njëri nga aktivitetet në kalendarin tonë. Ka nevojë për mbështetje edhe nga Komuna edhe nga Ministria për këtë panair. Gjilani identifikohet me librin, kulturën, letërsinë dhe artin. Është qyteti i Beqir Musliut dhe shumë njerëzve të letrave që Gjilanasit dhe Gjilani tradicionalisht e ka kultivuar. Le të jetë ky panair i fundit në këto hapësira të improvizuara, duke shpresuar që biblioteka e nisur para tri viteve do të përfundon, e i cili vërtetë ka mbetur në bazament. Apeloj nga këtu që të nis puna atje dhe të jepet hapësira e duhur për librin. Çdo e re apo i ri, ka nevojë për hapësirën e vet, poashtu libri dhe ky panair ka nevojë për shtëpinë e vet dhe vendin e vet për të ecur proceset përpara”, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërsa në emër të botuese, është paraqitur Haqif Hysa i cili Gjilanin e vendosi ne mesin e qyteteve me traditë në organizim të këtyre takimeve të mëdha kulturore.
“Të krijosh vend për librin është një pasuri, andaj falënderoj Komunën e Gjilanit për këtë nismë të mbarë. Organizimi në Gjilan përherë është me energji dhe frymë pozitive”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Ndërsa, në nderim të panairit të 42 të librit, në nderim të Gjilanit si vend i artit, kulturës dhe letërsisë, janë paraqitur me nga një poezi poetët e Penë Qendrës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Ars Klubi “Beqir Musliu”. /2L ONLINE/