Me ligjëratën online për vetëdijësimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit, në Gjilan është mbyllur fushata me aktivitete maratonike “Tetori Rozë”.
Në hapjen e kësaj ligjërate, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan, Deniza Limani, ka thënë se Gjilani do të jetë gjithmonë zë i fuqishëm në mbrojtjen dhe përkrahjen e të gjitha grave të cilat përballen me këtë sëmundje.
“Në kuadër të “Tetori Rozë”, kemi realizuar me sukses disa aktivitete si koncerti “Ti nuk je vetëm”, dokumentar dedikuar këtij muaji dhe sonte e përmbyllim me këtë ligjëratë. Jo vetëm në këtë muaj, por gjithmonë duhet të kemi kujdes dhe po besoj që me gratë aktive të qytetit, Zyrën e Kryetarit dhe DKRS do të vazhdojmë me fushata të tjera”, ka thënë Limani.
Dr. Mevlyde Ilazi, gjinekologe, gjatë adresimit në këtë ligjëratë, ka thënë se kjo teme duhet të shënohet jo vetëm në tetor, por gjatë tërë vitit.
“Në bazë të OBSH, cdo e nënta femër preket nga kanceri i gjirit. Besojmë që kjo iniciativë do t’i vetëdijësojë gratë për preventimin e paraqitjes së kësaj sëmundje. Nëse zbulohet me kohë kjo sëmundje, ajo jep shansin që të shërohet plotësisht”, ka deklaruar, ndër të tjera, Dr. Ilazi.
Bekim Selishta, sociolog, tha se kjo sëmundje kërkon trajtim shumë të gjatë, duke shtuar se kërkohet mbështetje shumë e madhe nga familja e institucionet.
Xaki Asllani, e prekur dhe që e ka kaluar me sukses këtë sëmundje, ka kërkuar nga gratë që të mos i neglizhojnë ndryshime eventuale në trup, por menjëherë të paraqiten te mjeku.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe Lindita Salihu, zyrtare komunale për barazi gjinore dhe Arjeta Maka nga shoqëria civile, të cilat thanë se gratë që preken nga kjo sëmundje, asnjëherë nuk do të jenë vetëm. /2LONLINE.com/