/2L ONLINE/ – Komiteti i Arsimit në Gjilan, nën udhëheqjen kryesuesit Arben Mehmeti, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës me pikë kryesore të rendit të ditës për parapërgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2016/2017.
Fillimisht, në emër të Komitetit, kryesuesi Arben Mehmeti e ka falënderuar ish-drejtorin e Arsimit, Nazmi Musa, për siç tha, punën e mirë dhe sukseset në fushën e arsimit.
“Vërtetë z. Nazmi Musa ka pasur një bashkëpunim dhe komunikim tejet të mirë me Komitetin e Arsimit dhe ka ndikuar në një menaxhim shumë të mirë të kësaj fushe. I urojmë shëndet dhe gjitha të mirat”, ka thënë Mehmeti.
Ndërkaq, u.d. drejtoresha Arsimit në Gjilan, Shqipe Kastrati Haziri, në mbledhjen e saj të parë në këtë Komitet, ka thënë se të gjitha përgatitjet janë bërë për fillimin e mbarë të vitit shkollor 2016/2017, duke shtuar se më 1 shtator mësimi do të filloj në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Gjilanit.
Në këtë mledhje janë dhënë informata dhe rekomandime për investimet në shkollat e Gjilanit, kampusin e shkollave të mesme, donacionet e organizatave të huaja, regjistrimit të klasave të para e të dhjeta, vazhdimin e mbajtjes së mësimit në paralelet në Zhegër, mbajtjen e afatit të dytë të testit të maturës, sikurse edhe që u diskutua edhe çështja e monitorimit të rajonalizimit të shkollave.
Gjatë kësaj mbledhjeje, me pyetje, diskutime e kritika janë paraqitur Fehmi Sylejmani (VV), Leonora Bunjaku (PDK), Shukrije Rapuca (PDK), e Idriz Ramadani (LDK), të cilëve u ka dhënë përgjigje kryesuesi Mehmeti dhe u.d. drejtoresha e Arsimit, Shqipe Kastrati Haziri./2L ONLINE/