Po ashtu ky panair mëton krijimin e traditës për konsumimin e mjaltit nga qytetarët, pasi që mjalti ka vlera të larta ushqyese, dietale, shëruese etj. Dhe po ashtu edhe dhënia e rastit bletarëve për të shitur produktet e tyre dhe për të krijuar blerës të qëndrueshëm.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari Nazmi Rapuca ka bërë me dije se Panairi Tradicional Regjional i Produkteve të bletës, ku marrin pjesë bletarët nga 10 komuna të Regjionit të Gjilanit dhe nga tri komuna të Kosovës Lindore do të mbahet më 24 dhe 25 shtator.
“Bletaria si një sektor i Blegtorisë edhe në Komunën e Gjilanit zë një vend të rëndësishëm, duke i kontribuar kështu zhvillimit ekonomik të Komunës sonë. Komuna e Gjilanit, gjegjësisht Bletarët e kësaj Komune kanë një traditë shumë vjeçare në kultivimin e Bletëve dhe janë shumë të përkushtuar në punët rreth bletës”, ka thënë Rapuca.
Sipas tij, aktualisht në komunën e Gjilanit ka mbi 100 bletarë të cilët janë të organizuar në shoqata me të cilat Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm.
“Fondi i shoqërive të bletëve në Komunën tonë është rreth 2.200, ç’ka i plotëson nevojat e vetëm 20% të popullatës së Komunës së Gjilanit. Dimë se edhe në bletari duhet investuar dhe ne si Drejtori do të kërkojmë edhe nga Ministria e Bujqësisë që ta fusë në projektet për subvencione”, ka thënë Rapuca.
Rapuca tha se resurset natyrore që ka komuna, premtojnë në rritje të kapaciteteve në bletari por,kur kësaj i shtojmë edhe vullnetin e bletarëve tanë garantojnë edhe një të ardhme më të mirë në këtë sektor.
“Bletarët tanë tani përveç mjaltit që marrin nga bletët për ç’do vit po pajisen me përvoja edhe më të avancuara në këtë lëmi duke marrë edhe prodhime të tjera nga bletët siç janë:dylli,poleni, propolisi dhe qumështi i bletës”, ka thënë Rapuca.
Ai shtoi se në bletarinë e Gjilanit në të ardhmen e shohin jo vetëm si një sferë e prodhimit të mjaltit, qumështit të bletës etj si ushqim për njeriun por, këtë sektor e shohin edhe si prodhuese të lëndëve të para si në industrinë farmaceutike njashtu edhe në atë kozmetike por edhe si një sektor që gjeneron vende të reja pune sepse një bletar që kultivon 30 shoqëri bletësh llogaritet një vend i qëndrueshëm i punës./2lonline/