Avancimi i marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, ishin tema e takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.
Në takimin e mbajtur në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, Kryeministri Kurti falënderoi Presidentin Pahor për përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë, një vend mik dhe partner strategjik i Kosovës. Ai shprehu mirënjohje për angazhimin e Sllovenisë lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin e Republikës së Kosovës ndaj nismave politike që krijojnë konfuzion e ndarje në Ballkan, ndërsa konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së dhe marrëdhëniet transatlantike. Ai vlerësoi faktin që Sllovenia udhëheq me presidencën e BE-së dhe mirëpret vullnetin për angazhimin e Sllovenisë për të mbështetur Republikën e Kosovës në synimet e saj për integrim euroatlantik.
Presidenti Pahor theksoi se gjatë presidencës së BE-së, që ka filluar në korrik, një ndër prioritetet e Sllovenisë është Ballkani Perëndimor dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian.
U ritheksua përkushtimi i dyanshëm për thellim të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe zhvillimor mes Kosovës dhe Sllovenisë dhe forcim të partneritetit ndërmjet dy vendeve në të mirë të të dy popujve. /2LONLINE.com/