Në Ditën Botërore të Poezisë, me poezinë e Rexhep Elmazit, në dyzetvjetorin e vrasjes së tij

Në Ditën Botërore të Poezisë, me poezinë e Rexhep Elmazit, në dyzetvjetorin e vrasjes së tij

REXHEP ELMAZI

S’KA MBETUR ASGJË PËR T’I NGROHUR DITËT

( Zgjedhjen e poezive e ka bërë Anton Nikë Berisha )

TI NUK KE LINDUR PËR TA SHIJUAR JETËN

Ti nuk ke lindur për ta shijuar jetën
atë e ndien në botën përreth
në gëzimet dhe lotët që lëshon njerëzia
çdo gjë për ty ka domethënie veçan pse është
çdo ngjarje në mënyrën tënde e feston
lumi bie fjala është shoka
që lidh koha për breza; dita e nata
janë dy këngë për himnin e botës
njëra ditirambi, tjetra elegjia e saj

Atje ku ndihet vlimi më prekës ti zhytesh
lotët e huaj të bien mbi zemër
ku njerëzit mes vete vriten nga mosdija
nga ambiciet e ulëta fjala jote hyn në mes
vuajtja dhe gëzimi janë tokë pa gardh
ku ti mund të hysh lirisht për të pirë ujë
meqë rrënjët i ke thellë në popull
ty vështir është të gjejë njeriu për të keq

Ti nuk ke vetëm një nënë e një atë
para së gjithash jeta është nëna jote
prandaj ti jetën s’e jeton por e këndon
si të ishe lyer në dorën e huaj!

ATYRE QË NA FUSIN NË BORXH

Dora e djathtë e tyre
është guri më i rëndë i dheut
aty buka dhe çiftelia
kanë erën e tyre
prej pragut kur largohesh
dëshiron të kthehesh sa më parë
frymën e tyre dhe peshën
për t’ua ndier

Gjëja më e shenjtë e dheut
është fjala porosia e tyre
edhe lulet bëhen të bukura
pse rriten mbi shpinë të tyre të fortë…
nëpër tokë rrashtat i keni
dhe në abetare fytyrën
vallë mos kështu menduat të rroni
bashkë me tokën
të cilën e deshët aq shumë?

Grumbull gurësh
grumbull rrashtash
këto janë shenjat
që emrin ta japin, o vendi im!

2.

Gjallërojmë mbi katin më të lartë
mbi retë në fqinjësi me diellin
mbi shpinën kockat dhe sytë tuaj
dhe shpesh e harrojmë këngën që kënduat
sakaq dridhet toka nën këmbë
platforma pahitet në erë
mendja na merret në këtë lartësi të shkretë
vetëm atëherë ju kujtojmë dhe na bie ndërmend
se jemi duke rrojtur mbi të vdekur e të harruar
mbi ju që çoheni herë-herë dhe dilni
jo si lugetër e fantazma po si kundërpeshë
me disa shenja pothuaj arkaike
na përkujtoni atë këngën në kor të kënduar
dhe sapo t’ia marrim ison kësaj kënge të lashtë
ju zhdukeni në çast sikur të mos kishit qenë kurrë
na lini duke bërë pyetje
duke fërkuar sytë

Vërtet më nuk jeni mes nesh!
por edhe si të vdekur rroni
baras me ne.

LE T’I BËHEM THEROR GJAKIMIT TË SHENJTË

Disi s’më ndahet vuajtja, edhe pse nuk e thërras!…
Ndoshta krejt kjo vjen ngase qetësinë s’e pëlqej.
Sepse, i vdekur me siguri do të kisha paqe
Po ajo paqe s’do të më kishte kënaqur.

Përherë e dua rrëmujën, ndryshimin dhe këngën e re
Që padyshim ndërrojnë ritmin e jetës që do të flejë
Unë atëherë ngrihem dhe diçka mbi kokë më bie
Dhe ashtu vazhdoj rrugën me kokë n’duar që m’dhemb.

Po nejse!…Le t’i bëhem theror gjakimit të shenjtë
E di se prej teje, dhe për ty, e dashur, e bëj këtë!
Një ditë, me siguri, do të bindem unë dhe gjithë ju
Se krejt ç’rron e gjakon, e bën këtë për hir t’dashurisë

Ka shumë përmendore që i ka ngritur njeriu
marrëzisë e dashurisë
Dhe e njëjta përmendore mund të vlejë
për të dyja bashkë!
Le të jem unë një arkitekt i tillë qesharak dhe i marrë Vetëm le të jetojë e mbijetojë dashuria
mbi majë më t’lartë.

Derisa të vdes unë do të bëj pyetje për dashurinë time Dhe për shpirtin tim që nuk do të vdesë. Dua ta di
Ç’do të ndodhë me dashurinë time pas meje, ku po e lë,
Si do ta gjej unë atë edhe njëherë që në jetë
m’ka djegur?!

Nëse mbetet diçka pas trupit tim, pas kësaj jetës sime,
Që me siguri do të flasë qartë përmes këtij emri tim
Kjo padyshim do lë jetë përmendore më e mirë për mua
Që i kam ngritur vetes, dashurisë sime e shpirtit tim.

(11 janar l978)

REFRENI I KËTIJ SHEKULLI

Prej tërë pjellës së saj këtë shekull
Nënë-koha e lindi dhe i këndoi
– Bir, e bëfsh muze Tokën!… në gjithësi
veçse një konak për ata që diku janë nisur
e në të i qet shtegu sa për të pushuar!…
… çdokush u nistë prej teje si prej Erës së Re!

– Ja, pra! ky shekull çdokujt i ka dhënë mend
duke hapur sytë me kërcënim, njeri a popull qoftë,
s’rri më këlluç mbi vezët; me lëkurën e vet
bën flamur e ngjyrën me gjak
dhe kërkon diçka që ende s’e njeh
punon si Herkuli në vatrën e tij të rimëkëmbur
aq herë të rrafshuar nga grykësit
që mbi kokat e huaja lëpihen si hiena

Ky shekull na ka bërë vetëtimë
të gjuhemi zbraztësirës së kasolles Zotit
kemi arrirë të bredhim si kometë
me teh në qafë
paralel me rrezet që s’dimë ku mësyjmë
kurse në Tokë, kësaj ore shekullore
pranë barit pranë ujit pranë shkëmbit
u ndie një bombë e fuqishme: grusht i rënë Hënës
duke kërkuar Diellin apo një rrugë më tej
njerëzia zgjëndrroi ëndrrat pa frikë
mori ngrykë fëmijë e grua… pushoi paksa
pranë plangut të vet të shkatërruar!…
por s’vonoi shumë dhe u ngrit
hoqi perdet prej syve la Perëndinë
dhe faltoret i bëri vendkushtrimi
për ecje të reja në jetën e dritës
hapi me afsh Abetaren… dhe filloi
përnjëmend e jo në fatamorganë
të mësojë gjuhën e vet prej A-së
fjalët aq të mëdha aq të ndritshme

dhe më në fund dita agoi tjetër!…
askush s’dëshiron të kthehet me nostalgji
pas shpine – shikon mrrolshëm
dhe me gaz përpara, sepse bindet lehtë
se çdo ditë e shkruar bëhet më e vogël
nga ajo që vjen

SVINGA

Dikur edhe ti ke qenë njeri
ose bishë sypërgjakur që tmerron
gjersa padroni yt me fuqinë e tij si me magji
s’të hukati dhe me të Zotit vullnet
të ngriu në gur për t’ia ruajtur portalin
sunduesit të urryer urdhëruesit tënd të egër
të vetëquajtur Zot i tokës

Sa krenar e mban ballin sa madhështore atë fytyrë megjithatë në brendi të zien dëshirë e flakët
që të ngjallesh rishtas e të lëvizësh atë qafë të ngurtë
dhe grykësisht ta hash padronin tënd atë Zot
që të dënoi aq gjatë të rrish i ngurtë
sall për t’ia bërë qejfin atij
zotit tënd mizor që luan me ty si të dojë

Prej nga e mori ai këtë të drejtë?…
vallë, veç pse ishe ti i butë pa sherr
apo pse ishte ai i fortë dinak dhe mizor?

Edhe të vdekur gjithkush ta ka frikën
kurse padroni yt ai i marrë po të ish gjallë
kushdo do ta tallte me sarkazëm apo dhe troç
e ti vetëm po ta luash qafën ose qepallën
tërë piramida kish për t’u tundur
o e tashmja Svingë
e i dikurshmi njeri i mirë!

DUELI

Ajo që jemi na bën diçka që s’ishim
ky është shkaku i harresës
por para së gjithash edhe para harresës
është ajo që humbëm
është ajo që gjetëm

Le t’i ngrehin pra smirëzeztë
përmendore madhështore vetes meritës së tyre jo
njërës prej dy vlerave tona të shartuara
drojës e cila në çastin e fundmë
e goditi rëndë guximin jetëgjatë
stolinë e dritareve të kasolleve

Tash a na ka hije të marrim lahutën në dorë
ndërsa në mangall prushin e ka mbuluar hiri
kjo hije e dikurshme e zjarrit të gjatë
jo! s’është ironi por marrëzi bashkë me ironi
kur të mësojmë buzëtharbur
se arbitër ishte e vërteta
në këtë duel të çuditshëm

Dhe atëherë do të themi
ti marrëzi je dysh në katror!

KUR KUJTIMET THERIN

Kurrgjë më të dashur se ti nuk ka
dhe më të dhembshur kur kujtimet therin
herët dikur unë kurrë s’jam përgatitur për sot
aty qeshur e qarë kam para syve të tu o jetë!
Eh, sa e rëndë sa e zezë dhe e fortë me duket
kjo dorëz shkopi që si boshti penjtë mbështjell vitet
sa e pashpirtë që më thërret dikur për ta kapur
unë që tashti veç krih s’kam për t’u bërë shqipe
pse gjithçka është imja çka hapi mund ta zërë!

Një ditë pra të ngrysur do mbështetem për shkopi…
Unë i sotmi? – megjithëse këto çaste të paharruara
kur duart e mia si rrënjët dredhake të një lisi
atje në nëntokën e thellë dhe të begatshme
gjejnë ushqim për një krijesë të pabrengë…
– Jo kurrë, kurrë!
edhe si breshka plakë n’u zhagitsha
për lëkurën e vrazhdë të tokës sonë
ashtu do të shkoj gjer në konakun e fundit
me dy duar të dridhura me dy këmbë të lodhura
por në kujtime i ri në gjak i papërkulur
i përjetshëm në dëshira!

NJERIUT QË E HËNGRI TOKA E VERDHË

Shumë ditë kanë hyrë mes meje e teje
ti në amshim e unë në rrugë
por unë i tëri jam bërë trung foleje
ku cicëron ti si zog zëlehtë
më dole pas shpine që të mos shoh dot kurrë
një-një u bëre me të ziun dhé
edhe sot më tingëllojnë fjalët e tua burrërore
ndonëse trup e fytyrë ishe si një fëmijë!
u shtange duke buzëqeshur
si t’ishe zemërgur as qerpiku s’të luajti
vërtet një nënë e lë të shkretë e një motër të re
por të qau gjithkush dhe jo vetëm ai
që me ty bashkëvuajti

Pas shpine kur ike para na dole
një shkuarje e çuditshme me gjurmë të përhershme
ata që të panë edhe sot pyesin me gojën plot
si shkoi vallë aq i heshtur pa thënë njëherë dhembjen

Çdo çast që shkon çdo natë çdo muaj
ti nuk ik kah harresa kah zvetënimi
çdokush mundohet prej teje diçka të ruajë
kush fjalën kush punën e çdokush qëndrimin!

Trupi yt shpejt u kthye në dhé
por fytyra s’të kalbet se e ke me ne!

ATYRE QË S’U DIHET VARRI DOT

Atyre që s?u dihet varri dot
por emrin ua mësojmë që në moshën pesëvjeçe
dhe busti u rri në krye të odës
si anëtar nderi i vatrës
tre hapa kanë bërë në jetë
në dje
në sot
në të nesërmen
Dhe aq shumë janë shkrirë në jetën e vet
Saqë për varr asgjë s’u ka mbetur

Ata që flenë nën varre mermeri
Por që për ta s’dëgjojmë as për njëqind vjet
Që kane mbushur përplot një gropë të madhe
Me trupin e tyre të majmë, kaba
Dhe që u është zhdukur emri bashkë me borën e parë
Në jetën e vet kanë bërë veç një hap
në të sotmen!

Për asgjë vetën s’e kanë munduar
Ndaj trup të madh varrit i kanë çuar.

PËRROI QË THER SYTË

Atje është ai përroi që ther sytë
atje ku nata zgjetoi
atje përskaj gjen këngët që morën këmbët
jehojnë butas
luleve u është kthyer bukuria
prej diellit që ngroh avullin e djersës…
Në shpat është shpella e errët vjetroshe
deri në zgorin e bjeshkës
rrashtat aty janë banorë
frika të rrok prej syve të vdekur
prej ashtit të zhbiruar në kafka

Atje është ai përroi që ther sytë!
një zë atje prore e ndien
një këngë që flokët rrëqeth
nënat atje kanë mbetur pa bij
rrashtat e tyre i gjejnë
i marrin i bartin ndër duar
si druvarë të ngarkuar

Prej përroit që ther sytë e zemrat.

NJË KLITHMË KËNGE

Po dole jashtë oborreve me gardh prej guacash tona
përskaj barit të ngritur nëpër tokën e rritur
n’erën pa zë do të shohësh murin e rrëzbitur
dheun e derdhur drurin e nxirë deri në palcë
– këtu dikur acari dhe juga në qindra turre janë thyer!
Ty të shpërthen pa dashje një klithmë kënge
thua: kjo është melodia e ditës!
të nxit të lëvizurit e shkathtë të dredhurit
të rrokë para vetes bredhja e trentë herazi pa cak
por ngjyrat e dashura të thërrasin: dil jashtë
për ty kjo e ka emrin zgjim ringjallje këndellje…
… dhe era fryn e flladi krejt pahetueshëm
veç nëpër faqe dhe sy që i ndiejmë
atje lart luhatet gembi e hedh përtokë një kufomë
e ajo në farfullimë rrokulliset e shkon mbi ujë
tretet zhduket ajo që ka qenë dikur!
A sheh, edhe natyra si arsyeja e njeriut
s’e duron dot të vjetrën e i thotë ik
ik shpejt, jam gati të pres mysafirë të rinj!…

E unë s’di kah t’i kthej veshët
kah t’i kthej sytë gjithkah
gjithçka rilind duke marrë këmbë
vetëm ndalem dhe sodis
ç’po ngjet rreth meje. Një mik
vjen e më thotë në vesh: pranvera është dita e parë

DOMOSDO

Koha le të jetë sa të dojë e gjatë
një çast i saj unë prapë jam

Dielli le të jetë sa të dojë larg
pas tij unë prapë ngas

Guri le të jetë i fortë sa të dojë
një thërmi e tij unë prapë jam.

TOKA

Çka i takon së djeshmes
lypnia nën lëkurë

Çka i takon së tashmes
lypnia në thonj

Çka i takon së nesërmes
lypnia në sy

E VËRTETA ËSHTË NJË SHTËPIZË PA RRUGË!

Dikush është fshehur në tokë
Toka e ka hedhur jashtë me zjarr

Dikush është fshehur në frymë
Frymën e ka thithur kushdo nga të gjallët

Dikush është fshehur në rrenë
Dhe si bankënotë është shqyer, coptuar

Vetëm një i mençur ka ditur
Të fshihet në të vërtetën
Dhe askush s’e ka ngucur
S’e ka kujtuar – as ndjekur
Sepse
E vërteta është një shtëpizë pa rrugë!

NËSE S‘E KE MENDJEN TE FJALA

Jemi në terren të panjohur!
Para se ta qesësh hapin, këqyre vendin
Para se ta hapësh gojën, preke mendjen

Jemi mes qeniesh prej xhami!

Sa hora mund të gremisesh
Sa hora mund të përgjakesh
Nëse s’e ke mendjen te hapi
Nëse s‘e ke mendjen te fjala
Jemi në vend të panjohur

Mes njerëzish të brishtë prej xhami!

VETËM DHEU DO T’MA MBYLLË KËTË GOJË

Poetit Viktor Hara

Kam lënë dhomën e ngrohtë
Jam ngritur me shpirt ndër dhëmbë
Në këmbët që luhaten
Për të vdekur në rrugë
Qielli si gastare
Do t’më bjerë në sy!

Ah, lamtumirën pëshpërit!
Ndoshta
Vetëm dheu do t’ma mbyllë këtë gojë
Që flet për dashurinë
Kur zemrës i janë prerë duart

Në dreq le të venë
Në dreq le të venë
Të gjithë ata që këqyrin punët e veta
Tok me ata që frikës i falen si Zotit
Të gjithë tradhtuar na kanë
Ndonëse për ta kemi menduar

Edhe tash në çastin e fundmë…
Oj, tokë, kam ethe nën qiellin tënd
Kam të ftohtë mbi shpinën tënde
Unë biri yt
Që kaq lart borxhin tënd e çova!
Dola me gjysmë shpirti
Në këmbët që luhaten

Për të vdekur në rrugë
Me gjithë turmën
E di
Qielli si gastare do t’më bjerë në sy

KOKTEJI ME NGJYRËN E RREJSHME TË RUBINIT

Shkumëzojnë vitet në koktejin ngacmues
shtrënguar në grusht atë që e kemi
të hidhëruar që na shpëtoi prej dorës
ajo – nëse ulesh ta vizëllon këpucën
t’i krehë flokët ta ndreq qaforen
sapo i qasesh pasqyrës sheh
tëfilluan vitet, minutat, ditët por
metabolizmi vazhdon
nëpër rruazat e kuqe
nëpër elektronet e ngarkuara
vazhdon metabolizmi
ani pse ndoshta dhe me hap të shtangur
edhe në këtë mënyrë shkojmë deri në fund
fëmijërisht kur orvatemi të kënaqim veten
se ka apo nuk ka dashuri të tepërt
se ka apo nuk ka mbarim rruga e saj
edhe nëse diku është kinse nuk vdes kurrë
sepse diç që s’e njohim vetëm rrëmih në ne
duke hedhur së prapthi e së mbari trupat
një gjë duhet ditur: filli i sendeve po largohet
dhe fundi i tyre afrohet nëpër gishtërinj
merimangat na lidhin e na ngatërrojnë
këmbë e duar e sy e veshë…
motmotet porsi vagonetat
lokomotiva si koha e me gjithë atë
njeriu si gur vështir vdes dhe tret
i nxirë e i shtangur e i ftohtë, por
metabolizmi vazhdon deri në deltën e paqes
në mos për asgjë tjetër atëherë për t’i kthyer
diçka që është e rinisë shpatit tjetër të saj
diçka të mërzitshme e të çuditshme dhe të dashur
rininë dhe marrëzinë, por kjo s’mbaron me kaq
fillimi dhe mbarimi janë binjakë siamezë
dy qenie komplete për një shpinë të vetme

DHEMBJA QË S’DO NGUSHËLLIM

Birit tim, Batonit

Në sytë e bukur të ditës së Premte
iu fikën të bukurit sy birit tone, Batonit
s’e patëm veçse tridhjetë e gjashtë ditë të lume
e plot diell para ditës kur iu desh të na e kthejë shpinën tash s’ka mbetur asgjë për t’i ngrohur ditët
madje as shpresa e lindur me të në çerdhen tonë
Në shpinë si me zor na është lëshuar
samari i jetës së mërzitur përditë e këtej
i dashuri im bir, me shqisa të mpira po jetojmë
pa ty ftohtë-ftohtë përqafon jeta
akull lart e poshtë kah ecin sytë…
kujtim që s’fiket na e le
të vetmen shkëndijë – shikimin e kësaj jete ëndërr
ndoshta për t’u teshur dhe sigurisht për t’u djegur!…

A thua ftohtë të dolëm në pritje?
mosvajtja jote është ndëshkim për këtë? E di
është dashur fushat t’i shtrojmë me qeshje
pse ajo që hamë nuk rrit askënd;
lumenjtë është dashur t’i turbullojmë tërë vendit
pse ujët pa ty s’e ka kristalin në sy
ardhjes tënde o kreshniku i vogël duhet
fushë e mal e bjeshkë për t’ia trandur
pse këto flenë pa ty e gjithçka vënë në gjumë

E tash fol ti zemra njerëzore
që gjithmonë je mësuar t’ia falësh vetes mëkatet
… e ka rrokur ngrykë ngulfatës qetësia
atë në varr dhe ne këtu midis të gjallëve
t’u them të drejtën vëllezërve të mi
– ajo që vjen e shkon është rrjedhë jete e di
por njeriu duhet diçka të ndalë nga ajo rrjedhë
vetëm diçka që të mund t’i thotë vetes unë.

Ditëve të kremteve të mëdha
nëna i kërcen kalit të trentë
me vetëtimë shkon gjurmëve të tij
mbi varr ndalet dhe hingëllon kafsha
kupës së qiellit duke thërritur
me vajin e nënës së Avdisë
atëherë vetëm atëherë thonë e lut tokën
për ta hapur gjirin shtatë pash për të hyrë
të birin për ta pare zërin për t’i ndier!…

FEJA E ZOTIT KONKRET

Drejtësi – fjalë e mykur lashtësie!
S’desha të them se ke zanafillë nga parahistoria
Ndonëse e vjetër sa vetë Njeriu
Je perëndia që s’di për fjalën “diskriminim”
Prandaj dhe s’je i diskriminuar
I të gjithëve je me rend
I besëtytëve dhe i ateistëve
Je një nga gjërat e rralla
Sa që nga njeriu i parë –
S’ke ndërruar fare kuptimin
Si uji, si buka, si ajri
Që i ngop njerëzit, ose i lë të uritur
Kur shporresh dika
Duke marrë me vete gjithçka
Si pronar i vetëm i tyre

II

Pikërisht pse pate këtë vlerë universale
Gjithsecili ka dashur të të ketë në konak
Si mik të shtrenjtë, si shenjë krenarie
Pra, shi këto ambicie të zeza –
Jo pse kanë dashur të stolisen me ty –
Po sepse kanë dashur të të kenë për vete
Shkaktuar kanë gjakderdhje
– Kështu së pari herë në familjen tonë njerëzore
Lindi antipodi yt-padrejtësia!
Ai që të ka grabitur sall për vete
Të tjerët i ka lënë pa bukë, pa ujë, pa ajër
Si makrobimët – mikrobimëve të mjera, të ngathtë
Që ju marrin Diellin
E i bëjnë të veniten, të kalben
Pleh duke u bërë.
Çudi, sa kuptim të gjorë që ke!
Sa të kapësh Dritën, Lumturinë, Mirëqenien tonë!

III

Ti nuk je Allahu vetëm për Myslimanët
As Krishti vetëm për të Krishterët
As Buda vetëm për Budistët
Mbi ta rri si një Kryezot hijerëndë, sepse Ata
Me gjuhë të vet e kanë pranuar
Se janë bijtë e tu legjitimë, misionarët e tu besnikë
Që vijnë fjalën Tënde ta kthejnë në vepër
Andaj pra populli sot e kësaj dite u falet së koti
Që atëherë Zotat e hyjnueshëm, të rrejshëm
Janë përunjur para këmbëve të Tua.
– Njerëzit vetë e kanë ndarë “shapin prej sheqeri”
Ti u bëre atëbotë zot absolut, i pamohueshëm
I gjithëfuqishëm? – e pos kësaj, për çudi:
Zot që mund të shihesh, prekesh – zot konkret!
Merre me mend, tani, gëzimin e njeriut!
Pas aq vuajtjesh, psherëtimash, lutjesh
Pas aq endjesh, bredhjesh pas tij
Pas aq flijimesh, martirizimesh të kota
Më në fund –
Ja një zot konkret?
E ajo abstrakte, me aureolë rreth kokës
Me flatrat si shenjtorët mistikë – por
Zot – vepër
Zot – materie, gjësend i prekshëm
I materializuar, në bukë, në rrobe, në kulm mbi krye
Në shkolla fshati, të lënë, në spitale e ambulanca
Në rrugë të drejtë nën e mbi male
Në largpërçues tensioni të lartë
Me një fjalë – në lumturi, në këngë!

Tashmë e dimë se kujt i drejtohemi
S’kemi më kohë për të humbasur kot –
Rrugën e dimë!
Je bërë i vetmi person
Mes miliarda e miliarda fytyrash të ndryshme
Të cilit nuk i duhet Letërnjoftimi
– Çdokushi të njeh si vetveten
Si paren e kuqe – siç thotë populli vetë.
E pse? Si? Ku janë arsyet?
Ndoshta pse shenjat e tua i mbajmë në rever
Në kapele… apo ndoshta pas
Në xhepin e akëcilit prej nesh
Tërë dituria jote, mësimi yt, fjalët e tua aksiome
Të kodifikuara në rregulla jete
Kanë marrë formën e një libri xhepi
Që tregon kahen e rrugës tënde të ndritshme…
Jo, kjo është ajo Feja e Re që për zot ka Drejtësinë
Perëndinë
Që mund të shihet, preket e shijohet
Kur besimtari i tij në çfarëdo kohe
Me muskujt e vet
Me djersën e vet
Me gjakun e vet!

( Marrë nga Libri në dorëshkrim me poezi të përzgjedhura të Rexhep Elmazit: PSHERËTIMA SHIU )

KOMENTE