/Njoftim shtesë/: Sot me 29 korrik 2018 policia e Kosovës e ka arrestuar të dyshuarin kryesor të veprës penale “Vrasje e rëndë”, po ashtu është gjetur revolja me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, ka bërë me dije, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.
***
Autoritetet policore kanë konfirmuar se në fshatin Bresalc të Komunës së Gjilanit, një person është vrarë me armë zjarri.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, ka bërë me dije se më 28 korrik 2018, rreth orës 23:45 nga Zyra e Policia e Kosovës është informuar se në fshatin Bresalc të Gjilanit ka ndodhur një vrasje. “Sipas informatave të para që kemi marr jemi njoftuar se rreth orës 23:23 min, në repartin e emergjencës viktima F.A (1996),shqiptar shtetas i Kosovës ishte sjellë i plagosur në gjoks nga arma e zjarrit, personeli mjekësor edhe përkundër ndihmës së parë mjekësore kanë mundur vetëm të konstatojnë se viktima ishte pa shenja jete”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, njësitet e hetimeve rajonale iu janë përgjigjur rastit, dhe bashkë me prokurorin e shtetit kanë bërë procesimin e vendit të ngjarjes. Në bazë të hetimeve preliminare që janë zhvilluar lidhur me këtë ngjarje është kuptuar se ngjarja kishte ndodhur tek vendi i quajtur “Tek Lapidari’’ në fshatin Bresalc komuna Gjilan, ku dyshohet se vepra penale “Vrasje ” ishte kryer nga i dyshuari L. U.(1992).
“Lidhur me këtë ngjarje janë ndërmarr të gjitha veprimet e duhura hetimore , si intervistat me dëshmitarë si dhe është kërkuar edhe i dyshuari Kryesor L. U. në shtëpinë e tij , por i njëjtit nuk është gjetur aty. Në oborrin e shtëpisë së tij është sekuestruar automjeti i llojit Mercedez ngjyrë hiri 05, të cilin e ka pasur në shfrytëzim i dyshuari”, ka thënë Hashani.
Lidhur me këtë ngjarje , është arrestuar Sh. U. vëllai i të dyshuarit qe besohet të jetë i involvuar në këtë vepër të rëndë penale. Për momentin nuk dihen motivet e kësaj ngjarje të rende.