Fjala e fituesit …
Prend BUZHALA
NË ANËN E KUJT JANË LETËRSIA DHE SHKRIMTARI?
Shpesh shtrohet pyetja: a na duhet letërsia sot?
Në fakt, mund të shtrohet pyetja edhe ndryshe: a ka pasur ndonjë kohë pa letërsi? Po në kohën e sotme përplot kriza, nga ato të individit e deri te ato shoqërore a nacionale, kur individi kthehet në skllav të shitblerjeve, si dikur, atëherë çfarë mund të bëjë letërsia? Pavarësisht se çfarë kohe do të ketë qenë ajo, letërsia gjithmonë e ka pasur vendin e saj të dalluar, funksionin e saj të madh, në radhë të parë funksionin estetik. Nëse dikur kohët e rënda i kërkonin krijuesit me vizion, që dinin të ndikonin përgjithësisht në rrjedhat e një shoqërie me anë të mendimit krijues; po ky mendim krijues e shpirt krijues i duhet secilës kohë, si shtysa kryesore për ta çuar përpara një shoqëri.
1.
Po qe se sot, në mbarë botën, vërejmë kaq shumë polarizime mes shtetesh, kombesh, rajonesh, ideologjish, politikash, religjionesh, e që po na përplasen edhe ne, këtu ku jemi në një udhëkryq; po qe se në jetën e përditshme vërejmë kaq shumë polarizime midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë, midis atyre që shpallen të suksesshëm në jetë dhe atyre që i shtojnë radhët e të pasuksesshmëve dhe të të dëshpëruarve; atëherë edhe kjo kohë do ta krijojë letërsinë, siç përkufizohet sot, si postmodernë, postmodernizëm etj. Themeli i kësaj postmoderne mbështetet në dyshimin e secilës vlerë të krijuar me format e skllavërimit të njeriut; s’ka më asnjë autoritet, pasi vetë shoqëria si e tillë i krijon dhe i shemb ato. Letërsia në kohën e shembjes së vlerave morale, i takon të jetë themel i ngritjes së këtyre vlerave njerëzore nëpërmes artit të mirëfilltë, art që gjithsesi e ka ndikimin e vet të ndjeshëm në vetëdijen shoqërore të kësaj kohe; art që e na e ligjëron dhe mëson të bukurën në krijimtari e në jetë e për ta dalluar atë nga e shëmtuara, e liga, që na ligjëron për ta dalluar edhe të mirën na e keqja. Natyrisht, e sotmja kërkon këndvështrim të ri për realitetin e bashkëkohor, mirëpo vlerat mbeten të përjetshme. mbeten vlerat.
Me të përmendur kaq pranë e pranë disa fjalëtema a nocione, si letërsia, shkrimtari, humanizmi, liria, demokracia, ndërtimi, vizioni e synimi, atëherë vetvetiu shtrohet pyetja: në cilën anë është shkrimtari? Anën e kujt e mban ai? Gjithsesi, pranëvënia e nocioneve do ta sugjerojë sinoniminë që kanë ato me njëra-tjetrën brenda një teme-bosht. Problemi është i moçëm, ç’prej se mbahet mend krijuesi i parë në punë të artit. E pra, dikur e tani, shkrimtari ishte në anën e atdhesisë, lirisë, demokracisë, përparimit etj. etj. Do të thoshim, në anën e Njeriut e të Humanizmit. E, në radhë të parë, ai qëndron në krahun e artit. Te e fundit, krijimtaria artistike, përbën esencën afirmative të të gjitha gjërave. Kurse në anën tjetër të barrikadës do të qëndronin ideologjitë e ndryshme agresive, totalitarizmi, dogmatizmi, absolutizmat e ndryshëm politiko-sistemorë, etj. etj. Dhe sa herë që janë shtruar “në tryezë” për dialog këto dy taborre kaq kundërshtare, e ka pësuar letërsia, tek është konsideruar se kështu krijon vlera të dyshimta, se është vënë në shërbim të diversionit politik, ashtu edhe sikundër vërtet ka ndodhur. Vetëm krijuesit e mëdhenj, këta ëndërrimtarë të pandreqshëm, si thotë një poet, kanë arritur t’i realizojnë e t’i ndërtojmë sintezat e suksesshme në mes letërsisë dhe politikës; në këtë rast, në mes të vizioneve për humanizmin e demokracinë dhe të esencave estetike.
Personalisht, duke u marrë me leximin e vlerësimin e veprave letrare, e them pa hamendje se edhe letërsia jonë në secilën kohë, ashtu edhe sot, e ka këtë shtysë; i ka lexuesit e saj në kohën e krizës së leximit; i ka autorët e saj që përfaqësojnë mendjet më të mira. I ka veprat që e ndihmojnë lexuesin ta kuptojë më mirë veten, ta gjejë thelbin e së mirës brenda vetes dhe ta forcojë besimin te vetja, i ka ato mjete arti që e ndihmojnë shoqërinë që ta zhvillojë dëshirën dhe vetëdijen për të vërtetën. Më në fund, a nuk është arti që nxit tek njerëzit forcën e fisnikërisë së shpirtit. Anaïs Nin, nj shkrimtare amerikane e shekullit XX, do të thoshte edhe ndryshe: “Ne shkruajmë (dhe lexojmë pb) për ta përjetuar jetën dy herë, në të tashmen dhe në retrospektivë.” Dhe shkrimtarët janë ata që me veprat e tyre e shpirtërojnë jetën e njerëzve dhe i frymëzojnë ata me frymën e shenjtë të së bukurës, sikundër thuhet në estetikë.
2.
A ka mundur krijuesi letrar t’i mbyllë sytë përballë absolutizmit skllavërues, si nuk i mbylli Ezopi i moçëm? Ovidin e kishin syrgjynosur dhunshëm për shkak të vargjeve të tij, kurse perandori romak, Oktavian Augusti, e kishte kërcënuar me vdekje Virgjilin, nëse nuk e shkruante një ep për shkëlqimin perandorak. Në shekullin që lamë pas, Mandelshtam e Babel, i lanë eshtrat e tyre nëpër llogoret e Sibirisë, Lorkën e kishin pushkatuar, Cvetajeva u detyrua të vetëvarej; Brehtit të dëbuar nga Atdheu, ia digjnin librat nëpër manifestimet naziste. E dihet, që nga ato kohë të moçme, akëcili krijues i madh është cilësuar edhe si shkrimtar i oborrit, si Gëte, e pse, jo, edhe si Kadareja ynë i madh; por këta krijues, megjithatë, me artin e tyre të madh, kanë qëndruar në anën e NJERIUT. Naimi ynë i madh kishte pozitë të lartë pushtetore në kierarkinë e perandorisë turke, mu në kohën kur i burgosej e i syrgjynosej vëllau i tij, Samiu, po nga ai shtet pushtues që i shërbente vetë. Por Naimi ka bërë kthesë në idetë rilindase, humaniste, atdhetare e liridashëse, ka bërë kthesë në vizionet e hapësirës shqiptare.
Megjithatë, që nga Ezopi e këndej, krijuesi letrar është konsideruar si kryengritës i përhershëm, si opozitar i lindur karshi shoqërisë. Nga ana tjetër, janë qindra krijues shqiptarë që i provuan mbi kurrizin e tyre përndjekjet, burgosjet, privimet, libërdjegiet, pushkatimet, vrasjet, eksodet, anatemimet e çka jo tjetër, vetëm për shkak të qëndrimit të tyre në anën e atdhesisë, identitetit të rrezikuar shqiptar, humanizmit, demokracisë, ideve largpamëse e vizioneve emancipuese, ashtu sikundër iu ka ndodhur dhjetra humanistëve arbërorë, si Marin Barletit, Bogani e këndej.
Kështu iu ka ndodhur edhe qindra krijuesve të tjerë shqiptarë që nga vitet njëzet e këndej të shekullit që e lamë pas, të cilët nuk i kanë mbyllur sytë para realiteteve të reja, prandaj e kanë pësuar atë fat, qoftë nga diktatura e Zogut, qoftë nga ajo e regjimit totalitar komunist për pesë dekada rresht. E mandej na vijnë librat e burgut në letërsinë shqipe, tek na shkon mendja te diktaturat e përgjakshme…Po përmendim një fakt: Etëhem Haxhiademi, shkrimtar i shquar tragjedish, i shkolluar në universitete evropiane, kthehet në Atdhe për t’u angazhuar për ndërtimin e idealeve evropiane demokratike, por është burgosur nga regjimi zogist, më vonë është përndjekur nga eksponentët e pushtuesit fashist, dhe, së fundi, për njëzetepesë vjet rresht, ka vuajtur burgje komuniste, duke i lënë edhe eshtrat në burgje. Ai sikur e parandjeu se Letërsia e Politika, në këso kushtesh kundërdemokratike, janë sinonim i luftës së Kainit kundër Abelit. Kaini u hodh në anën e Politikës, Abeli në anën e Shkrimtarit.
Nëse krijimi është akt individual, vepra letrare, me të arritur në librari, në bibliotekë, në institucione kulture a në duart e lexuesit, bëhet edhe res publica, apo një e mirë e përbashkët. Autorët e moçëm thoshin se Shteti apo Res Publica na është çështje publike. Res publica-n ata e mendonin si qeverisje të interesave të përgjithshme apo të të mirave të përbashkëta. Pra, politika është ajo që merret me çështje publike, kurse letërsia, si nevojë e brendshme shpirtërore e njeriut, nuk kufizohet në kohë e në hapësirë. Nuk ishte e rastit, pse Platoni pati kërkuar që harmonia do të arrihej, kur shtetin e pushtetin e drejtojnë filozofët si përfaqësues të urtisë e të mendjes, kurse i përjashtonte poetët. Res Publica antike e përfaqësuesve të popullit, tek koncepti i Rusosë shndërrohet në patriae, në atdhesi, në vlera të atdheut. Kurse shkrimtarët humanistë i afirmuan gjakueshëm idealet e tyre të epokës moderne: republikën dhe demokracinë, përkushtimin atdhetar, humanizmin dhe kultin e njeriut, liritë dhe të drejtat njerëzore. Ideja e lirisë është themel i identitetit evropian dhe e lindur po nga ky identitet.
Njerëzit e lashtë të Antikës nuk e kishin parashikuar se të mirat e përbashkëta apo res publica, do të shndërrohen në interesa të veçanta, e, posaçërisht, në konflikte interesash. Së këndejmi, padëgjueshmëria qytetare, e lindur po nga ky opozicion i përhershëm i fushës së letërsisë, tani në kuadër të rendit demokratik, vendoset në anën e kundërt të këtij rendi.
Dhe jo pak qeveritarë e drejtues shtetesh e pushtetesh, vendin e tyre e kanë dërguar në theqafje, në luftëra, në shkatërrim, në sundim diktaturash të përgjakshme etj etj, kur kjo harmoni në mes urtisë e qeverisjes nuk përputhej. Pse të mos e themi se shkrimtari gjithnjë qëndron në anën e padëgjueshmërisë. E kjo padëgjueshmëri gjithnjë gjakon parimin e Barazisë e atë të Drejtësisë. /2LONLINE/
(E lexuar në Gjilan, më 26 nëntor 2022, me rastin e marrjes së Çmimit letrar “Beqir Musliu” )