Në nderim të veprës së Dëshmorëve të Kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi së bashku me prorektorët, dekanët dhe stafin e UKZ-së, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule në varrezat e dëshmorëve në Gjilan.
Me këtë rast Rektori Kosumi me delegacionin e tij, ka vizituar edhe familjet e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, ku ka thënë se janari ndriçon rrugën tonë të lirisë dhe ardhmërisë teksa na përkujton sakrificën e dëshmorëve të secilit brez të të gjitha kryengritjeve tona, andaj të gjithë përulemi me nderimin më të madh para atyre që me sakrificë bënë të mundur që ne sot t’i nderojmë ata në liri.
Heronjtë e Kombit bënë të mundur që Kosova sot të jetë një vend që ecën e sigurt në rrugën e integrimit evropian. Nderim përjetë atyre, familjeve të tyre që sot nuk kanë më të dashurit, por kanë emrin e mirë që ata lanë për veprën e pavdekshme që realizuan.
Në familjen e Rexhep Malës ishte edhe bashkëveprimtari i atdhetarëve, shoku i idealit, Ilmi Ramadani, i cili ka rikujtuar veprimtarinë patriotike dhe heroizmin e dy dëshmorëve, të cilët ranë heroikisht në luftim me forcat serbe në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë.
Rexhep Mala e Nuhi Berisha ranë heroikisht ndërmjet 11 e 12 janarit, 38 vite më parë. Ata shquhen ndër figurat më të ndritura të qëndresës dhe sakrificës sonë kombëtare. Rexhepi e Nuhiu vlerësohen si dy nga figurat qendrore të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptarë të Kosovës për liri e pavarësi, dhe janë çmuar për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative. Sot për veprën patriotike të Rexhep Malës e Nuhi Berishës me plot krenari flasin bashkëpunëtorët, bashkëluftëtarët, bashkëfshatarët dhe mbarë Kosova e trevat shqiptare. /2LONLINE/