Skemat mashruese të përpunuara deri në detale, me qëllim të krijimit të përçarjes, mostolerancës dhe krijimi i gjendjes së pasigurisë, janë pjesë e artit të shërbimeve inteligjente, të cilat i aplikojnë ndaj objektivave të caktuara.
Se në çfarë forme janë aplikuar këto veprime nga ana e shërbimit sekret jugosllav (SDB), në drejtim të organizatave patriotike shqiptare që vepronin në emigracion, në vendet e Evropës dhe Amerikës, bëhet publike nga dosjet sekrete të SDB-së të publikuara nga studiuesi Qerim Lita në librin “Lidhja Kosovare në SHBA dhe Jusuf Azemi – Dokumente sekrete jugosllave 1971-1990”.
Një shembull tipik të këtyre skemave, ky autor e vë në pah në aksionin e SDB-së, ku u arrit të përçahej deri në shkatërrim Organizata Kosovare Revolucionare Nacional Demokratike Shqiptare (OKRNDSH).
Sipas dokumenteve të SDB-së, të publikuara në këtë libër, me iniciativën e atdhetarit Vehbi Ibraimit nga Uglari i Gjilanit, ishte arritur deri te ujdia që emigracioni politik në perëndim të bashkohet në një qendër të vetme dhe përpjekjet e para u bënë me bashkimin e Lidhjes së Vardarit, e cila udhëhiqej nga Alinafi Hoxha me qendër në Marsej të Francës, Besëlidhjes Shqiptare e udhëhequr nga Emin Fazlia, me qendër në Denzdorf të Gjermanisë dhe “Ismail Qemali” e udhëhequr nga Vehbi Ibrahimi, me qendër në Bruksel.
Pas shkrirjes së këtyre organizatave në një të vetme, në OKRNDSH, shërbimi sekret jugosllav, veproi shpejt. Në dokumentin “DARM.F.UDB-RSVR.D.282, Skopje, april 1979”, i cili është dokument sekret i përgatitur nga Sekretariati Republikan për Punë të Brendshme i RS Maqedonisë, mes tjerash, flitet edhe për skemat mashtruese të aplikuara nga ky shërbim në drejtim të kësaj organizate përmes bashkëpunëtorit “Sllavni” (nga rrethi i Gjilanit i njohur për F.K).
Në të përshkruhet ky aksion, ku, sipas tyre: “Në bazë të hulumtimeve të kryera për situatën dhe të mundësive tona të shumta që i kemi në Belgjikë, është vendosur që Vebi Ibrahimit, i cili për një kohë relativisht të shkurt u afirmua si udhëheqës dhe eksponent i zëshëm i Lidhjes së Vardarit në mesin e Emigracionit në Bruksel, t’i plasohet bashkëpunëtori “Sllavni”, me qëllimin përfundimtar lidhjen e tij me Reis Ali Hoxhën (Alinafi Hoxha F.K), për çka ai është i kyçur drejtpërsëdrejti në lëndën operative “Vardar”, që në kuadër të masave e të aktiviteteve operative të planifikuara e të organizuara për t’iu kundërvënë veprimtarisë së “Lidhjes së Vardarit” dhe udhëheqësin e saj ekziston që nga viti 1967” (fq. 178).
Me një mbështetje nga SDB, duke i përgatitur terrenin dhe rrethanat, “Sllavni” më 1976 ia del t’i realizoj kontaktet e para me Vebi Ibrahimin dhe pasi që vinin nga i njëjti qytet, të krijoj besim te ai, ku për një kohë të shpejtë, të depërtoj në thellësi të organizatës, duke ia arritur që para SDB, ta dekonspiroj të gjithë aktivitetin dhe strukturën e saj.
Suksesin e “Sllavnit” në funksion të përçarjes së OKRNDSH-së, SDB në dosjen në fjalë e përshkruan: “Aksioni i tij (“Sllavni” F.K) dhe veprimi nga pozita tjera të shërbimit bëri që gjendja të ashpërsohet, kryen ndryshime të shpeshta në udhëheqësi e ngjashëm, që në përmasa të mëdha e pamundësoj përpjekjen e Vebi Ibrahimit në planin e konsolidimit dhe intensifikimin e aktiviteteve armiqësore.
Krahas kësaj arrinë të pasivizojë dhe përfitoj një numër personash të cilët në fazën e themelimit të degës dalloheshin për nga aktiviteti dhe “mbanin” poste të caktuara, njëkohësisht duke i shfrytëzuar edhe për thellimin e përçarjes dhe si informatorë të tij nxitë pakënaqësinë e anëtarësisë ndaj Vebi Ibrahimit dhe mbolli dyshime e para ndërmjet tij dhe Reis Ali Hoxhës” (fq. 179).
Gjithnjë, sipas kësaj dosje, “Ndarja e kreut të OKRNDSH-së rrodhi si rezultat i paraqitjes ofensive të bashkëpunëtorit “Sllavni” në mbledhjen e parë plenare të kësaj organizate që u mbajt në mars të vitit 1978 në Bruksel, kur i përmenduri (“Sllavni” F.K) nga një regjistrues dhe informator i deriatëhershëm, me sukses, futet në funksionin e përçarësit që me paraqitjen e tij në plenum krijoi përçarje në organizatë dhe ndarje të ashpëra brenda udhëheqjes në dy fraksione antagoniste, njëkohësisht duke iu shmang komprometimit (dekonspirimit F.K) të vet” (fq.180).
Se deri në çfarë mase kishin ndikuar efektet përçarëse të “Sllavnit” brenda OKRNDSH-së, flet raporti vijues “Informatë” me Nr. 116, dërguar nga lidhja operative “Xhemal” i infiltruar në grupin e Lidhjes Kosovare në Çikago-SHBA. Në këtë informatë të hartuar më 3 korrik 1979, “Xhemal” si njeri i besuar i Emin Fazlisë, merr një letër nga ai, në të cilën i shkruan për “rrjedhën e Kongresit të organizatës, i mbajtur më 14 dhe 15 prill k.v. në Frankfurt dhe për përjashtimet e grupit të Reis Ali Hoxha, duke e përshkruar si tradhtar i kombit shqiptar dhe agjent i UDB-së…” (fq.183)
Të arrish që patriotin e vërtet ta shndërrosh në tradhtar dhe vetën në patriot të vërtet, përpos që nevojitej një mbështetje nga shërbimi, duhej edhe një shkathtësi e jashtëzakonshme që, si duket, këtë e ka poseduar “Sllavni”!
Dhe, po ta portretizojmë, “Sllavnin” na del si njëri nga më të përkushtuarit, më i pakompromisi, më i disiplinuari, më i angazhuari, më intelektuali, më dorëliri dhe bamirësi për kauzën, virtyte këto që nuk të lënë të hamendesh për tradhti eventuale të këtij personaliteti.
Natyrisht se kauza e tij ka qenë tradhtia, gjë e cila ndodhë vetëm aty ku ka besë, kurse tradhtarët e posedojnë aftësinë për të krijuar atë. Vrasja e organizuar nga SDB të patriotit Vehbi Ibrahimi në 10 tetor 1981, në Bruksel nuk ka anashkaluar shërbimet që “Sllavni” duhet t’i ketë bërë në logjistikën për organizimin e kësaj vrasje. Koha do ta vërtetoj këtë.
Pjesë nga libri në botim “Siguria sfida që vazhdon për Kosovën” me autor Fadil Kajtazi