Është thuajse e pamundur me besua se ndryshimi në Kosovë vjen nëpërmjet LDK-së e as duke bashkëqeverisë me të. Nuk e them këtë për ndonjë inat apo ku ta di unë, por e them duke u bazuar në qeverisjen e saj shumë vjet e në të gjitha nivelet e pushtetit. 13 vjet qeverisje në Prishtinë, ndërsa Prishtinës i duhen edhe 20 vjet qeverisje të mirë për me mujt me i renovue shkatërrimet që janë bë në qeverisjen e LDK-së, saktësisht të kreut të saj dhe zyrtarëve të lartë të këtij subjekti politik.
Shkruan: Ardian Azemi
Më kujtohet kur në fillim të mandatit të qeverisë Haradinaj, LDK pati thënë se nuk do t’ia votojë asnjë dokument të kësaj qeverie që e sjell në Kuvendin e Kosovës, qoftë i mirë apo i keq. Imagjinoni, duke mos u pajtuar ta shoh dik tjetër në pushtet, prolonguan punën e Kuvendit, herë duke mos marrë pjesë fare, e herë duke mos votuar, anipse dokumente të shumta ishin në interes të përgjithshëm. Mirëpo, nënshkrimet për mëditje gjithmonë i kanë dhënë. Fort i bindur jam që as për Ushtrinë e Trepçën nuk do të votonin, sikur mos ta mendonin koston e lartë në zgjedhje.
Nuk e besoj fare, por edhe nëse ndodh që qeveria Kurti të bëj përpjekje për tu dëshmuar qeveri e ndryshimit, LDK do të jetë pengesa kryesore për të mos ndodh ndryshimi. Saktësisht kështu ndodhi edhe me qeverinë Haradinaj. Puna e mirë, vendosmëria për tu bë tamam shtet i respektueshëm nga jashtë dhe i zhvilluar nga brenda, nuk i ka pëlqyer PDK-së, dhe kjo për arsyejet e njëjta që do të ndodhin edhe në qeverinë Kurti.
A nuk është gabim i madh e që do të sjell pasoja të mëdha të mendosh me i kushtëzua mjekët të zgjedhin o në institucione publike, o në ato private..?! Kosova ballafaqohet me ikjen e përditshme dhe në numër të madh të mjekëve nga Kosova. Duhet ti ofrohen kushte të mira për punë, paga të dinjitetshme, në mënyrë që të ndalet ikja e tyre nga Kosova, e jo t’iu minohet edhe më shumë qëndrimi në Kosovë. Normalisht, punë e pëgjegjësi duhet kërkuar tek ata, si çdo vend tjetër që ndodh, por urgjente është ta ulim numrin e ikjeve të mjekëve nga Kosova.
Pra, me këtë koalicion që pritet ti krijojë institucionet e reja të Republikës, është naive me besua se do të ketë ndryshim, përkundrazi, zhgënjimi do të jetë edhe më i madh se ndaj të tjerëve sepse pritjet janë të mëdha. Gjatë këtij mandati do të ndodh marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si do të jetë marrëveshja, çka do të humbë Kosova dhe cili do të jetë triumfi i Serbisë, pritet ta shohim, ndoshta shumë më shpejtë se sa ne presim. LDK nuk mund të jetë aleate në qëndrime, sepse në momente të caktuara, dorëzohet kundrejtë kërkesave të ndërkombëtarëve. Qofsha i gabuar në këto konstatime.