Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, dhe me pjesëmarrjen e fëmijëve kanë shënuar sot Ditën Botërore të Autizmit dhe në kuadër të kësaj është bërë ndriçimi i objektit të Komunës me të kaltër në shenjë mbështetjeje dhe integrimi të personave me çrregullim bioneurologjik të trurit dhe sensibilizimin për trajtim të barabartë në shoqëri.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemajli, ka thënë se Komuna e Gjilanit është e angazhuar vazhdimisht për integrimin e të gjithë personave pa dallim për integrim të barabartë në shoqëri, në punësim dhe në të gjitha instancat tjera të shoqërisë.
“Komuna e Gjilanit në vazhdimësi është duke punuar që të gjithë qytetarët e saj të jenë të barabartë dhe kontributdhënës për shoqërinë. Personat me autizëm, por edhe me çdo çrregullim tjetër janë qytetarët tanë, familjarët apo të afërmit tanë, si të tillë do të trajtohen gjithmonë dhe njëkohësisht edhe angazhimi ynë është në këtë formë që edhe shërbimin në shoqëri ta japin barabartë me të gjithë ne”, ka thënë Xhemajli.
Ai më tej ka potencuar se mbështetja materiale e komunës është e vazhdueshme edhe për organizata dhe shoqata të ndryshme që trajtojnë fëmijët, sikur që mbështetja e vazhdueshme i jepet edhe Qendrës së Kujdesit Ditor “Pema”.
Ndërsa Ema Sallahu, nga QKD “Pema”, ka thënë se në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit është bërë ndriçimi i objektit të Komunës me qëllimin që të jetë një senzibilizim më i madh për të mbështetur fëmijët me autizëm.
“Sot janë këtu 50 fëmijë të cilët me aktivitete të ndryshme po e shënojnë 2 prillin, Ditën Botërore të Autizmit. Ndriçimi i objektit të Komunës por edhe lëshimi i balonëve janë vetëm një simbolikë e vogël për një qëllim të madh, atë të mbështetjes për fëmijët si pjesë e barabartë e shoqërisë”, ka thënë, mes tjerash Sallahu.
Për ndryshe ekzistojnë disa lloje autizmi, por dy sindromet më të zakonshme, janë Asberger dhe Kaner, derisa të dhënat botërore flasin për statistikat e prekjes nga këto sindrome në raportin 1 në 150 fëmijë. /2LONLINE.com/