Në kuadër të javës së 33-të të Superligës së Kosovës në futbolli. Gjilani do të ballafaqohet me Llapin, e në prag të kësaj ndeshje, Gentjan Mezani, kryetrajner i skuadrës gjilanase ka thënë se e do maksimumin e pikëve nga kjo ndeshje dhe se ka kërkuar nga futbollistët e tij të jenë të impenjuar në çdo minutë të lojës.
“Koha e përgatitjes për këtë ndeshje ka qenë e shkurtër, pasi që kemi zhvilluar ndeshje në fundjavë. Megjithatë, ne kemi përgatitur ekipin dhe mënyrën se si do të luajmë. Ne do të futemi për maksimumin e pikëve, pasi që ato janë që na mbajnë në objektivin tonë”, ka thënë Mezani.
Ai shtoi se shikojmë vetëm ndeshjet e radhës, janë të vetëdijshëm që ato shkojnë tani duke u pakësuar dhe rëndësia e pikëve është e madhe.
“Ne punojmë gjithmonë për të marrë maksimumin e pikëve, pavarësisht kundërshtarit të cilin e kemi përballë”, tha tutje Mezani.
Tekniku i parë i skuadrës kuq e bardh ka potencuar se skuadra po vazhdon të krijoj raste të shumta shënimi, mirëpo në momente të caktuara po u mungon përqendrimi, ndërkohë që u ka bërë sërish thirrje tifozëve që të jenë afër skuadrës.
Ai shtoi se luajnë për të shënuar, pavarësisht që në dy ndeshjet e fundit nuk kanë shënuar. E rëndësishme është që skuadra vazhdon të krijojë, të afrohet drejt portës dhe padyshim që goli do të vjen.
“Ne synojmë që golat të vijnë që nga ndeshja e radhës dhe shpresojmë që sulmuesit të kenë ditën e tyre. Kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund dhe normalisht që kemi nevojë për ndihmën e “Skifterave”. Klubi është i “Skifterave” ne jemi vetëm kalimtar, por në këtë moment jemi së bashku për të arritur një objektiv, prandaj të gjithë duhet të jemi bashkë në katër ndeshjet e fundit. Presim mbështetje të madhe që nga sfida ndaj Llapit”, tha kryetrajneri Gentjan Mezani.
Gjilani do të ndeshet me Llapin këtë mesjavë (9 Maj) me fillim nga ora 15.00 në stadiumin ndihmës në Gjilan. /2LONLINE/