Autori i panjohur i cili mbrëmjen e 25 majit të vitit 2014 shtiu me armë zjarri në drejtim të kalimtarit të rastit Shenor Hamidi, edhe sot nuk është zbuluar. Tashmë kur kanë kaluar afro tetë muaj Gjykata e Lartë në Vranjë ka njoftuar viktimën se ka ndërprerë hetimet duke dhënë sqarime që për familjarët nuk janë bindëse.
Shenor Hamidi, natën e 25 majit të vitit 2014, rreth orës 23:30 minuta nga drejtimi i fshatit Turi po kthehej në shtëpi në fshatin Tërnoc të komunë së Bujanocit, kur papritmas veturën Volkswagen Golf 2 që po e ngiste, e kanë përshkuar plumbat e armës së kalibrit të vogël.
Fatmirësisht atë mbrëmje Shenori 24 vjeçar nuk u lëndua, përderisa vetura mori rreth gjashtë plumba në pjesë të ndryshme.
Zyrtarët policor dhe krim-hetimit kishin dalë në vend të ngjarjes duke regjistruar rastin, mirëpo tani kur kanë kaluar rreth tetë muaj, viktima dhe familjarët janë habitur me vendimin që ka marrë Gjykata në Vranjë për të ndërprerë hetimet që do të çonin në zbulimin e autorit të kësaj vepre penale.
“Nuk jemi fare të kënaqur, Gjykata na ka kthyer përgjigjen se ndërpret hetimin mbi rastin. Kjo na ka lënë të habitur të gjithëve, ne do të kërkojmë drejtësi, ndërsa në këtë betejë tonë për të zbuluar kryesin e kësaj vepre ftojmë të na bashkëngjiten edhe njerëz kompetent”, i tha portalit informativ Titulli.com, Vaxhid Hamidi, babai i Shenorit.
Në përgjigjen e marrë nga Gjykata, ndër të tjera thuhet se “janë ndërprerë hetimet të cilat kryhen ndaj ekzekutorit të paidentifikuar, me rastin e kallëzimit penal tuajin të datës 28 maj 2014, nën dyshimin e bazuar se ka kryer vepër penale, vrasje në tentativë, pasi që nuk janë grumbulluar dëshmitë, në bazë të së cilave do të vërtetohej identiteti i kryesit të kësaj vepre penale”, thuhet në dokument.
Ndër të tjera, Gjykata i drejtohet viktimës, se në rast që nuk është i kënaqur me vendimin e saj ka të drejtë ankese, që sipas Vaxhid Hamidit, ai këtë të drejtë do ta shfrytëzojë.
Portali informativ Titulli kishte raportuar për rastin në fjalë, derisa edhe kishte publikuar dy fotografi nga vendi i ngjarjes, një ditë pas incidentit, kur policia po vëzhgonte hapësirat si dhe veturën Golf .