Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kërkojnë të depërtojnë në tregun evropian, cilat janë ndërmarrjet e Luginës që shesin produktet jashtë vendit. Në Odën Ekonomike të Serbisë (OKS), për çdo ditë dhjetëra ndërmarrje të vogla dhe të mesme kërkojnë analizat mbi tregun e jashtëm ku dëshirojnë të eksportojnë dhe të lidhen me partnerë të huaj, njofton RTS, transmeton Titulli.com.
Kryetari i OKS-së, Predrag Padezh, ka thënë se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të llogarisin në ndihmën e odës ekonomike për t’u lidhur me partnerë të huaj.
“Kur një firmë drejtohet tek ne, kur shohim se ka potencial, ne i drejtohemi kolegëve tonë nga odat ekonomike të vendeve të huaja në mënyrë që t’i gjejmë partnerë kualitativ”, ka thënë Padezh.
Ekspertët kanë këshilluar ndërmarrësit e vogël që edhe nëpërmjet internetit të depërtojnë në tregjet e huaja, sepse sipas tyre, me investime ne rrjete shoqërore, me njohjen e gjuhës angleze, dhe materiale të mira promovuese, mund të fitojnë një reklamë botërore.
Por, cilat janë gjasat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga Lugina e Preshevës, të depërtojnë në tregun evropian.
Sipas hulumtimeve të portalit Titulli, edhe në rajonin tonë ekzistojnë kompani që eksportojnë produkte në vendet e rajonit dhe të Evropës, siç janë “Fluidi”, “Tobler Skele” dhe “Nura” nga Presheva, “Omorika” nga Bujanoci dhe kompani tjera.
Megjithatë disa kompani kanë probleme për të depërtuar në tregun e huaj, dhe për këtë arsye kanë kërkuar ndihmë, si nga pushtetet lokale, poashtu edhe nga qeveria e Serbisë, shkruan Titulli.com.
Lidhur me mbështetjen e qeverisë së Serbisë për ndërmarrësit privat, sekretari shtetëror i ministrisë së ekonomisë, Dragan Stevanoviq, gjatë një interviste ekskluzive për portalin Titulli.com, ftoi ndërmarrësit e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës që të shfrytëzojnë programet e Trupit Koordinues.
Përveç sigurimit të plasmanit, këto ndërmarrjet nga Bujanoci dhe Presheva kanë kërkuar lehtësime, e gjithashtu kanë theksuar edhe problemet me gjetjen e fuqisë punëtore dhe taksat e larta.