Nderim Mustafa, tani e tutje do të jetë kryetar i ri i KV Drita (M), derisa Besnik Veseli do të jetë drejtor ekzekutiv, ndërsa shtabi teknik do të udhëhiqet nga kryetrajneri, Idriz Berisha. Kjo u bë e ditur në një ceremoni të organizuar nga ky klub ku edhe u bë zgjedhja e organeve të reja drejtuese, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Fillimisht, Besnik Veseli ka bërë me dije se pikërisht ceremonia në fjalë që po organizohet po bëhet për të prezantue kryesinë e re të klubit, përkatësisht për të prezantuar kryetarin e ri të klubit, Nderim Mustafën, që për të tha se është një afarist i suksesshëm nga Gjilani që vepron dhe punon në Zvicër, e i cili ka shprehur vullnetin dhe dëshirën e tij të bashkohet me klubin Drita, në arritjen e qëllimit dhe objektivave të përbashkëta që i kanë.
Më pas mori fjalën, Enver Sadiku, si anëtar më i vjetër i kryesisë, i cili tha se KV Drita me një traditë të gjatë në volejbollin kosovar, po organizohet dhe riorganizohet duke u shndërruar në një klub të mirëfilltë, me synime që sukseset e tij t’i arrijnë edhe në arenën ndërkombëtare.
“Në vazhdën e këtyre sukseseve, në KV Drita po bëhen edhe ndryshime në kryesi, kurse është nder për këtë klub që në pozitën e presidentit do të jetë nderim Mustafa, afarist i njohur në Zvicër, i cili, besojmë se me vizionin dhe angazhimin e tj, do të bëjë që klubi ynë të arrijë suksese edhe më të mëdha”, ka thënë Sadiku, transmeton 2LONLINE.
Ndërsa, kryetari i ri i KV Drita (M), Nderim Mustafa, në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se ka nderin dhe kënaqësinë të jetë në këtë mes dhe është krenar që prej sot ta merr pozitën e kryetarit të KV Drita pasi që edhe vet është një adhurues i madh i sportit, duke besuar fuqishëm se, së bashku kanë për t’ia arritur qëllimit të përbashkët deri në fund. /2LONLINE/