Shkruan: Nehat M.Ramadani
Gjatë, shumë gjatë e kemi pritur e kërkuar dhe asnjëherë nuk kemi heshtur, e pushuar së kërkuari, sepse s`e kishim, andaj na mungonte e na mundonte. Liria, e dashur, e ëmbël, e ngrohtë, e freskët,… erdhi me puhinë e lehtë të erës, si nusja me vello, por kësaj here e larë me gjakun e njomë, të bijave e bijve më të mirë të kësaj toke.
Iu gëzuam pa masë, sa nga gëzimi desh u çmendëm. Po, po kështu ishte! Por, edhe meritonte të gëzoheshim tej mase, sepse po bëheshim zot në shtëpinë tonë.
Ne që deri dje mësonim në bodrume, në tenda e serra najloni, kishim mallë për shkollën, dijen, mësimin. U kthyem në objektet shkollore, por me kushte minimale për punë. Edhe kështu ishim të kënaqur sepse kolliteshim, këndonim e flisnim vet.
Por, sa dhe si menaxhuam vetëqeverisjen me arsimin shqip, pas luftës…?
Kjo është pyetja më e vështirë, së cilës nuk dëshiron t’i përgjigjet askush, e në veçanti përgjegjësit e arsimit në Kosovë 1999-2015.
Jemi dëshmitarë të faktit, se vendin e çliruam me aleatët perëndimor, të prirë nga SHBA-ja. Jemi dëshmitarë se besimtarët katolik, festojnë kërshëndellat në dhjetor dhe prill, jemi dëshmitarë se këtu kishte edhe besimtarë ortodoks, por edhe sikur të mos kishte, e kemi pakicën serbe që jeton në Kosovë. Por, kjo nuk do të thotë të kultivojmë vlerat e huaja, që tek ne nuk ngjallin kurrfarë ndjenjash.
VITI MËSIMOR DHE GJYSËMVJETORËT
Kjo bëri, që ne të bëhemi aq dorëlirë e zemërgjerë, që duke u solidarizuar me të tjerët, humbëm për vete, apo punuam në dëm të fëmijëve tanë. Kur u hartua kalendari shkollor, viti mësimor u nda në dy gjysmëvjetor, që është shumë normale. Por, fjala gjysmë tregon pjesën e barabartë me tjetrën ose gjysmën e tërësisë, apo 50% -shin?
Por, jo! Ne e ndamë vitin shkollor, jo në pjesë të barabarta, por i ndamë siç na u tek apo na thanë! Me rëndësi është të kemi edhe ne dy gjysmëvjetor, si krejt dynjaja…! Madje nuk ia ndërruam as emrin, por e lamë gjysmëvjetor!
Gjysmëvjetori do të duhej të ishte etapa e parë, përkatësisht e dytë e vitit mësimor, që do të duhej të ishte e barabartë, ose përafërsisht e barabartë 92 përkatësisht 93 ditë, apo ndarë në perioda po i bie 61.7 ditë.
SI PO VEPROHET TE NE?!
Viti shkollor-mësimor fillon me një shtator dhe përfundon me javën e tretë të dhjetorit ose katërt të dhjetorit që do të thot 82 ditë, me një kohëzgjatje përafërsisht 4 muaj. Ndërsa, gjysëmvjetori i dytë fillon me javën e dytë të janarit, dhe përfundon me javën e tretë të qershorit, që i bie 5 muaj, ose 103 ditë.
Nëse nisemi nga kjo që u tha, del se dallimi prej njërit në tjetrin “gjysmëvjetor” është hiq më pak se një muaj ose 21 ditë pune. Apo vala më e madhe e të ftohtit dy-tre javë të janarit dhe dy të shkurtit mbahet mësim, në vend se gjysma e parë e janarit të përfshihet me mësim nxënie në vazhdim të gjysmëvjetorit të parë, dy javët e dyta të janarit të jenë pushim dimëror dhe mësimi të filloj në shkurt, për të përfunduar më së voni më 15 qershor niveli Parafillor, fillor, i MU. dhe fundi i majit SHML.
KU MBETI PRA GJYSMËVJETORI?!
Cila është cilësia e arsimit, sipas këtyre gjysmëvjetorëve?!
Pas, dy muaj e gjysmë pushimi, nxënësit me dashuri, vullnet dhe entuziazëm i përvishen punës dhe mësimit. Në këtë mënyrë ata me mundësitë dhe kapacitetet e tyre bëjnë gjithçka është e mundur që të arrijnë synimin e tyre, që padyshim është mësimnxënia më e madhe. Dhe, taman të arrijnë nxemjen, ata i ftohim, sepse duhet të shkojnë në “pushim” dimëror!
Gjysëmvjetori i dytë fillon në fazën më kritike të dimrit, në javën e dytë. Atëherë kur acari, bora dhe ferfëllëzat, janë të pashmangshme. Gjendja e shkollave jo e dëshiruar, por edhe vijueshmëria e nxënësve udhëtar, jo e kënaqshme.
Përfundimi i gjysmëvjetorit të dytë
S`di sa janë kompetent, a janë mësimdhënës shkollash fillore, të mesme të ulëta, apo të mesme të larta vendimmarrësit dhe këshilltarët e tyre, kur nuk janë në gjendje të kuptojnë vështirësitë me të cilat ballafaqohen nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit, me tejzgjatjen e vitit mësimor. Kalimi i muajit maj në shumicën dërmuese, për të mos thënë në të gjitha shkollat e Kosovës, në proces të rregullt mësimor, jo që nuk është efektiv, por është i dëmshëm në të gjitha aspektet, pedagogjik, moral, material e fizik. Përvojat e shkollave të perëndimit, nuk përkojnë fare me realitetin e shkollave tona, në aspektin fizik, sepse atje kanë klimatizim, ambiente më të përshtatshme pune, etj.
Prandaj, ndarja e vitit shkollor-mësimor, në gjysmëvjetor të barabartë, që nënkupton 15 janarin ose afërsisht, është domosdo e arritshmërisë më të lartë në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Rënia e suksesit për tokë, çfarë e kemi sot në Kosovë, është edhe pasojë e një lodhjeje të nxënësve, mësimdhënësve e prindërve, me stërzgjatjen e vitit mësimor.
PUSHIMET DHE FESTAT
Festat e ndryshme fetare, nuk janë detyrim pushimesh për Kosovën si shtet laik. Por, nëse vendoset të jenë ditë pushimi, do të ishte shumë në rregull që të festonin, secili festën e vet, e jo t`iu imponoheshin. Sërbët edhe sot nuk i festojnë festat muslimane e katolike! Prandaj, cila është arsyeja e pushimeve tona në festat e tyre? Ose, dita e Evropës, festë të cilën nuk e feston vet Evropa, ndërsa e festojme ne!
Vallë, mos po bëhemi më katolik se Papa.
Zaten, festa do të duhej të shënonte një ditë me rëndësi në jetën e çdo njeriu, në kalendarin e tij historik, kombëtar a fetar. E çfarë ndjejnë katolikët, ortodoksët e muslimanët për festat e tjetrit?! Edhe kur festohen festat, të festohen ditët e festave, e jo një ditë më vonë, nëse festa qëllon të jetë në ditë pushimi. Cila është logjika e të lindurve më 29 shkurt, e ta festojnë tri vjet datëlindjen më një mars?
Në përfundimi të këtij shkrimi, që nuk është vetëm mendim dhe opinion imi, të theksoj se ai-ata që ndërmarrin nismë në nivel qendror – ministror, ta ndryshojnë këtë kalendar, do të radhiteshin në HEROJ të PUNËS , ndryshe nuk jemi në shërbim të nxënësve, prindërve dhe shoqërisë, por të kuaziintelektualëve dhe demagogëve, që ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë. /2LONLINE/