Komuna e Gjilanit së bashku me Asamblenë Komunale të Fëmijëve, kanë vazhduar me shpërndarjen e dhuratave në prag të festave të fundvitit, ku deri tash kanë pranuar dhurata mbi 200 fëmijë.
Udhëheqësi i sektorit për të drejtat e njeriut në Komunën e Gjilanit, Ardian Foniqi, tha se së bashku me Asamblenë Komunale të Fëmijëve, kanë realizuar me sukses një tjetër aktivitet humanitar, duke shpërndarë mbi dhurata për fëmijët me Sindromën Down.
“Këta fëmijë të mrekullueshëm janë frymëzim për të gjithë ne dhe ishte kënaqësi e veçantë të ndanim gëzimin e festave me ta”, tha Foniqi.
Udhëheqësi i sektorit për të drejtat e njeriut në Komunën e Gjilanit, tregoi se gjithashtu, për disa muaj me radhë kanë mbështetur Qendrën e Sindromës Down me furnizime të vazhdueshme të mjeteve higjienike, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të tyre.
“Ky aktivitet është shprehje e përkushtimit tonë për përfshirje, barazi dhe dashuri ndaj çdo anëtari të komunitetit. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për një shoqëri më të drejtë dhe më humane, ku çdo fëmijë të ndihet i përkrahur dhe i vlerësuar”, tha Ardian Foniqi.
Derisa është realizuar edhe një koncert për fëmijët, ku ka kënduar Arian Agushi (Gold AG), Enkleda Arifi dhe fëmijët i gëzuan me zërat e tyre të bukur.
“Gëzimi i tyre është frymëzim për të vazhduar me projekte që sjellin buzëqeshje në fytyrat e më të vegjëlve”, tha Foniqi.
Ai faleminderit të gjithë atyre që kontribuan në këtë nismë kaq të veçantë. /2LONLINE/