Me një ceremoni të veçantë, të organizuar në kuadër të 28 Nëntorit, festës së Flamurit Kombëtar dhe 105 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me inicimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë ndarë sot dekoratat presidenciale për figura të shquara kombëtare të Gjilanit.
Në këtë ceremoni kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka përshëndetur dy presidentët, Meta e Thaçi dhe gjithë të pranishmit, duke e spikatur vlerën e madhe që kanë heronjtë, dëshmorët dhe të rënët për liri në ndërtimin, zhvillimin dhe ecjen përpara të shtetit.
“Jam i nderuar që sot në Gjilan po zhvillohet ceremonia kryesore e shënimit të festës së Flamurit Kombëtar. Jemi këtu së bashku me personalitete e nivelit më të lartë shtetror, pastaj përfaqësues të shumtë politik nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova Lindore. Sot përpos shtatores së Idriz Seferit, është bërë edhe zbulimi i busteve për Reshat Ymerin, Xhavit Ahmetin, Halim Oranën, Esat Berishën dhe Muharrem Ibrahimin, kurse dy presidentët do të ndajnë edhe dekorata për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve Gjilanas”, ka thënë kryetari Haziri.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në në kuadër të kësaj ceremonie ka ndarë dekoratën presidenciale, “Urdhërin Hero i Kosovës, duke potencuar që Idriz Seferi ishte shembull i prijësit të paepur, që nuk rreshti për asnjë çast veprimtarinë kryengritëse.
Kurse presidenti i Republikes se Shqipërisë, Ilir Meta, ka ndarë dekorata për Hajdin Rrustemi -Kurexha, “Shqiponja e Artë”, Ismail Shala – Poneshi, “Shqiponja e Artë”, Hajrullah Selim Murtezaj – Terpeza, “Urdhëri Kalorës i Skenderbeut”, Rexhep Elmazi, dekoratën “Naim Frashëri”, Dalip Dalipi, “Shqiponja e Artë”, Hasan Malaj, “Urdhëri Kalorës i Skenderbeut”, Mexhit Devaja, “Urdhëri Kalorës i Skenderbeut” dhe Beqir Musliu, dekoratën “Naim Frashëri”.
Presidenti Meta mes tjerash duke ju adresuar figurës me përmasa mbarkombëtare të Idriz Seferit, tha se sikur që ishte i vendosur në bashkimin Kombëtar sa ishte gjallë, edhe sot ka bashkuar edhe njëherë shqiptarët me një pjesëmarrje masive në Gjilanin dhe Kosovën e trimave të mëdhenjë, të heronjëve, martirëve dhe të rënëve të shumtë, në luftën për liri.