Komuna e Kamenicës së bashku me “Qendrën për Arsim të Kosovës-KEC”, sot kanë ndarë çmimet për shkollat fituese në projektin “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës”. Projekt ky i cili kishte për qëllim që të gjithë fëmijët të trajtohen me respekt të plotë dhe dinjitet, duke promovuar kështu mjedis pa abuzime në ambientet shkollore.
I pari i komunës Qëndron Kastrati u shpreh i lumtur që shkollat e komunës sonë, janë duke ofruar shërbime te volitshme dhe ambiente të sigurta për mbarëvajtjen e mësimit.
“Krijimi i një ambienti të sigurtë, trajtimi i nxënësve me dinjitet dhe respekt, është një nga çështjet e rëndësishme për ne.
Prandaj, jam shumë i lumtur që shkollat e komunës sonë po ofrojnë shërbime të volitshme dhe ambiente të sigurta për mbarëvajtjen e procesit mësimor”, tha ai.
Ndërsa, zyrtarja pranë Drejtorisë Komunale të Arsimit, Lejla Leci, u shpreh mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që nuk u kursyen në asnjë moment duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat.
“I jam pafundësisht falënderuese dhe mirënjohëse Ardita Kabashit, e cila së bashku me ekipën e saj kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit në komunën tonë. Puna dhe angazhimi i sotëm do të ishte i mangët pa ndihmën e dy zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale, të cilët nuk kanë hezituar në asnjë moment të bashkëpunojnë e ndërveprojnë me të gjithë akterët përkatës. Duke shpresuar që të promovohen sa më shumë dukuri positive ne shkollat tona, unë shfrytëzoj rastin t’i uroj shkollat fituese, si dhe i inkurajoj që të vazhdojnë të ofrojnë ambiente miqësore dhe te sigurta për nxënësit tanë”, u shpreh Leci.
Po ashtu edhe menaxherja e projektit, Ardita Kabashi, u shpreh mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që vazhdimisht po punojnë në mirëqenien e nxënësve, pa dallim etnie e përkatësie.
Ndryshe shkollat fituese në këtë projekt janë:
ShFMU “Rexhep Mala”-Topanicë
ShFMU “Dëshmorët e Kombit”- Kamenicë
ShFMU “Skenderbeu”- Hogosht
ShFMU “Desanka Maksimovic”
ShFMU “Abdullah Krashnica-Presheva”- Koretin
ShFMU “Metush Krasniqi”- Roganë. /2LONLINE.com/