Forcat e Armatosura të Kosovës do të formohen me bekimin e NATO-s. Kështu bëjnë të ditur burime të RTK-së, duke shtuar se çdo hap për kalimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës ka qenë i koordinuar me faktorin ndërkombëtar. Ndërkaq, në gjysmën e dytë të marsit do të fillojë aktiviteti diplomatik, përkatësisht takimet e krerëve të Kosovës me NATO-në rreth formimit të Forcave të Armatosura.
“Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së nuk janë çështje e NATO-s për të vendosur. E ardhmja e FSK-së është çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës”, thuhet në emaillin e zyrtarëve të NATO-s, dërguar RTK-së.
Këtë qëndrim e kishte shprehur ditë më parë në një intervistë për RTK-në edhe ministri i FSK-së, Agim Çeku.
“NATO nuk ka autoritet të merr vendime për të ardhmen e FSK-es ajo është vendim autonom i Institucioneve të Kosovës, është vendim i sovranit dhe veq Kosova mund të merr vendim.
Çeku në një intervistë dhënë sot për RTK-në, u shpreh i bindur se NATO-ja do ta mbështesë këtë zhvillim të FSK-së, madje sipas tij, me krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës do të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi Kosovë-NATO.
”Janë 4 vendet anëtare të NATO-së që nuk e përkrahin mirëpo ne kemi shumë më shumë miq se sa armiq dhe mendoj se do ta kemi mbështetjen e plotë e ndoshta edhe më të fuqishme të NATO-së në rrugën nëpër të cilën pritet të kalojë FSK-ja”,tha ministri Ceku.
Se a do ta ketë apo jo mbështetjen FSK-ja për t`u shndërruar në Forca të Armatosur të Kosovës, zyrtari për media i NATO-s Matthias Eichenlaub (Ajeshnlaub) në një përgjigje përmes emailit tha se:
”Nëse misioni dhe mandati i FSK-së evoluon, sipas të gjitha gjasave, duhet të presim që Këshilli Veri-Atlantik ta rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s”. Në emaill poashtu thuhet se ”NATO-ja aktualisht është duke e mbështetur FSK-në brenda mandatit të saj origjinal, sikurse përshkruhet në planin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës të vitit 2007.
”Këto detyra po ashtu janë të definuara në ligjin për FSK-në prej nga është nxjerrë edhe qëllimi i misionit të FSK-së. Asistenca e NATO-s për FSK-në është e fokusuar në ndërtim të kapaciteteve dhe trajnim. Po ashtu lehtëson zhvillimin e vazhdueshëm profesional të FSK-së”, thuhet më tej në përgjigjen e zyrtarit të Nato-s.
Personalisht ministri Çeku beson fuqishëm se Institucionet e vendit kanë shënuar arritje dhe se ato janë në rrugë të mirë drejt integrimit në NATO, ndonëse sipas tij vendit i mbetën ende punë për të bërë në këtë drejtim.
Pas dy javësh pritet që kabineti qeveritar të votojë ndryshimin e mandatit, për t`u dërguar më pas Kuvendit për miratim. Ndërsa në javën e dytë të marsit do të fillojnë aktivitetet diplomatike jashtë vendit, përkatësisht takimet e krerëve të Institucioneve të Kosovës me NATO për kalimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Sipas zyrtarëve qeveritarë, transformimi I FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës pritet të përmbyllet në prill të këtij viti.