Mësimëdhënësi gjilanas i lëndës së gjeografisë, Murat Mustafa, në një prononcim për Portalin 2LONLINE.com, shprehet se është një ndër grevistët dhe përkrahë grevën ende, sepse, siç thotë ai, është e ligjshme dhe e drejtë, mirëpo, duke parë kokëfortësinë e kryeministrit, nuk po sheh zgjidhje të afërme.
“Një zot e di kur do t’i bie ndërmend këtij njeriu që duhet të bëjë zgjidhje këtij problemi. Kryeministri i vendit nuk po i intereson dëmtimi i nxënësve, e lere më ofendimi dhe nënçmimi i mësimdhënësve, andaj mendoj se duhet t’ia lëshojmë rrugën. Unë nuk po shoh dritë në fund të tunelit, andaj këtë dritë duhet ta jep SBASHK-u”, thotë Mustafa për 2LONLINE.com.
Ai tha se më keq se që janë nuk ka ku të shkojë prandaj si mësimdhënës që është, mendon se, as edhe ato 50 euro lëmoshë, nuk duhet t’i marrin mësimdhënësit dhe se të hënën do të duhej të fillonin mësimin.
“Ne po kërkojmë dinjitet, nuk po kërkojmë lëmoshë, këtë duhet ta dine të gjithë. Edhe po të bëhet fjalë për 500 euro, mendoj se dinjiteti i mësimdhënësit nuk do të kthehet më. Prandaj, mendimi im është që të hënën duhet të fillojë procesi mësimor”, thotë tutje mësimdhënësi i gjeografisë, Murat Mustafa.
Sipas tij, kjo tërheqje që propozon, nuk do të thotë se ai apo mësimdhënësit tjerë të s’mbrapsen nga kërkesat e tyre të drejta, përkundrazi, por vetëm se janë më reflektues se kryeministri i vendit.
“Ky mendim i imi nuk guxon assesi të merret si prishës i grevës nga një mësimdhënës, pra në këtë rast nga unë, sepse jam me shumicën. Vetëm dua të tregoj që nuk jemi ata që duam grevë, por është kryeministri që duket se po i përshtatet kjo situatë në të cilën ndodhemi”, ka thënë mësimdhënësi gjilanas i lëndës së gjeografisë, Murat Mustafa. /2LONLINE/