(2LONLINE) – Deklarata e ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Dardan Gashi, se “Ish-pushteti është fajtor pse nuk është përfunduar projekti i Mirushës”, ka nxitur reagimet e ish kryetarit të komunës Qemajl Mustafa.
Ja reagimi i plotë i Mustafës:
Pas vizitës që ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) z. Dardan Gashi i bëri komunës së Gjilanit dhe me qëllim të informimit të drejtë të publikut të komunës (dhe të vendit) japim shpjegimin në vijim për saktësinë e të cilit unë, Qemajl Mustafa, kryetar i komunës së Gjilanit deri në fund të vitit 2013 (për gjashtë vite me radhë) mbaj përgjegjësi të plotë.
E çmojmë vizitën e ministrit Gashi në Gjilan në fillim të mandatit të kryetarit të ri ani pse, ky ministër nuk e ka marrë mundin të vijë e të njihet me zhvillimet në Gjilan gjatë tri viteve të kaluara dhe ta merr informatën nga dora e parë për zhvillimet rreth projektit të “Mirusha” (arsyet për mosardhje i din vetëm ai). Megjithatë ky ministër është angazhuar për mbarëvajtje të këtij projekti por edhe ka qenë i informuar nga komuna për pengesat që ministria e tij i ka bërë këtij projekti në fazën e parë nga mandati para tij. Prandaj edhe kemi hartuar memorandum të veçantë të nënshkruar nga unë dhe ministri Gashi që kompetencat menaxheriale të barten nga MMPH në komunën e Gjilanit për fazën e dytë.
Shpresojmë që premtimet e ministrit Gashi për trajtimin e mëtejmë të projektit “Mirusha” dhe të ujërave tjera të zeza (bazuar në studimin e fizibilitetit që ne e realizuam bashkë me zyrën e BE në Prishtinë dhe me hidrokompaninë rajonale) të mos mbesin vetëm fjalë të bukura shpresëdhënëse por të vihen në praktikë.
Në prononcimin e tij ministri Gashi ka sjellur goxha pasaktësi e që sigurisht janë rezultat i keqinformit të ministrit nga stafi i tij zvarritës në këtë projekt. Të sqarojmë që atëherë ministër në këtë ministri ka qenë z. Mahir Jakxhilar (vitet 2009/2010). Pra, që të jem i saktë, ministri Gashi vije në këtë ministri në fillim të vitit 2011. Të shkojmë me radhë…
Menaxhmenti i kaluar i komunës të cilin e kam udhëhequr unë nuk mban përgjegjësi për zvarritjen nga faza e parë e projektit sepse kontrata ka qenë e lidhur në mes të ministrisë së ambientit (MMPH) dhe të punëkryesit (kompanisë “Çlirimi” nga Livoqi i Epërm) ndërsa komuna e ka bërë me kohë vlerësimin e pronave dhe negocijimin me secilin pronar për pagesën (e në shumicën e rasteve e ka bërë edhe pagesën në vlerë prej rreth një milionë euro me mjetet komunale).
Zvarritje penguese për shtetëzim të pronave (për shpronësim) nuk ka patur në këtë fazë. Është e mundur që punëkryesi është penguar ndonjë ditë nga pronarët e tokave por kjo asnjëherë nuk e ka ulur dinamikën e punës për çka dëshmojnë të dhënat në librin e punës . Pavarësisht që Komuna ishte plotësisht e anashkaluar dhe jashtë projektit sepse nuk kishim asnjë mundësi ligjore të ndikonim në proces, ne e kemi dërguar një monitorues të projektit i cili i njeh detajet e të gjitha zhvillimeve dhe i cili me saktësi i ka raportuar kryetarit të komunës dhe zyrës së projekteve (te monitiruesi i komunës, qëështë një inxhinier me përvojë i ndërtimit, ekziston evidencë e saktë e dinamikës së punës, e sasisë së punëve të kryera dhe e financave të shpenzuara për këtë fazë të projektit).
Punëkryesi e ka kryer këtë fazë me sukses kah pranvera e vitit 2011.Së paku një vit ministria nuk është barazuar me punëkryesin për fazën e parë dhe kështu projekti ka ngecur në dinamikë për një vit me fajin e ministrisë (MMPH është barazuar me shumë vonesë në Mars/Prill të vitit 2012 dhe për këtë ekziston procesverbali i komisionit që e ka bërë “rrafshimin” e punëve dhe financave). Pra, ministria do të duhej me e “pastrue” së pari oborrin e vet para se me e drejtua gishtin kah komuna e Gjilanit për këtë fazë.
Ministri si duket është plotësisht i painformuar prandaj duke e informuar publikun po e informojmë edhe ministrin që vlera e parallogaritur për realizimin (pa shpronësim) e projektit “Mirusha” ka qenë 4.6 milionë euro që edhe me kontraktim është afërsisht e njëjtë (faza e parë 1.44 milionë dhe e dyta qëështë duke u realizuar 3.10 milionë, gjithsej 4.54 milionë euro).
Le të dihet se projektin e kanalizimit kryesor dhe shtratit të lumit “Mirusha” komuna e ka blerë në rrugë konkurruese në vitin 2004/2005 pa elaborat të shpronësimit e që ka qenë një mangësi e veçantë e projektit (kjo ka qenë koha kur kryetari i tashëm z. Haziri dhe formacioni i tij politik e ka qeverisur komunën). Deri te fundi i vitit 2007 kryetari i tashëm dhe menaxhmenti i partisë së tij nuk e kanë qarë kokën për ta bërë elaboratin dhe sadopak shpronësim të pronarëve nga pronat e tyre. Për ta realizuar jo se jo.
Pra, ne e kemi gjetur projektin pa elaborat të shpronësimeve dhe pa asnjë euro shpronësim e që e kemi bërë krejtë punën rreth këtij aspekti nga fillimi me shumë zell dhe me nikoqirllëk të vërtetë sepse pronën e komunës e kemi trajtuar dhe e trajtojmë përherë të shenjtë.
Vlera e deritashme e shpronësimeve është rreth 1.5 milionë euro (1.0 milion të komunës dhe 0.5 milionë të Qeverisë). Vlera e shpronësimeve në vazhdim deri në fund të projektit është edhe 1.9 milionë euro sipas vlerësimeve të njësisë për vlerësim pranë Ministrisë së Financave (MF) që do të thotë se vetëm shpronësimet kushtojnë jo më pak se 3.5 milionë euro. Nëse kësaj i shtohet edhe kostoja e realizimit të projektit prej 4.54 milionë euro del se projekti është shumë i kushtueshëm dhe arrin së paku në8 milionë euro.
Pra ministri sjell pasaktësi kur thotë se ne kemi ndarë 3.5 milionë euro për projektin dhe projekti do të duhej me u krye deri tash nga komuna. Ky projekt nuk kryhet zotëri ministër me këto para dhe shiheni kornizën afatmesme të shpenzimeve (KASH) nëpër mandate dhe do të gjeni që për këtë projekt përveç në kontraktimin e fazës së parë kur janë ndarë mjete prej 1.5 milionë euro në vitin 2009/2010, në vitet tjera ka patur të programuara nga 300 ose 350 mijë euro secilin vit të ardhshëm. Sipas kësaj logjike të programimit të financave nga MMPH ky projekt do të duhej të kryhej për dhjetë vitet e ardhshme edhe atë pa shpronësime. Programim se jo mahi!
Jam unë, Qemajl Mustafa, kryetari i atëhershëm i kësaj komune dhe Kryeministri z. Hashim Thaçi që u morëm vesh në vitin 2008 për ta nisur në vitin 2009 këtë projekt të rëndësishëm për komunën.E nisëm me 1.5 milionë euro si fazë e parë e projektit (kontrata ishte nënshkruar në mes të MMPH dhe kompanisë “Clirimi” me 1.44 milionë euro). Kryeministri ka qenë skajshëm i interesuar qëky projekt të nisë dhe të kryhet me kohë. Ai e ka përkrahur financiarisht edhe jashtë përcaktimit me KASH (korniza afatmesme e shpenzimeve) duke i shtuar 800 mijë euro psh në vitin 2012 atëherë kur mjetet nuk kanë mundur të shpenzohen sepse kontraktimi i fazës së dytë ishte bërë në Gusht 2012 (procedura e prerjes së gjendjes nga projektanti dhe e tenderimit kishte marrë edhe së paku tre muaj kohë nga Marsi/Prilli 2012).
Pra, pa e pyetur komunën e cila tashti në fazën e dytë ishte autoritet kontraktues me punëkryesin “Bejta Commerce” Qeveria i kishte shtuar edhe 800 mijë euro dhe kështu me ato 650 mijë që ishin të programuara për “Mirushën” me bugjet të vitit 2011/2012 gjithsej u grumbulluan në fond 1.45 milionë euro. Punëkryesit ministria ia kishte lejuar një avans ligjor prej 15% të vlerës së projektit (470 mijë euro) ndërsa krejt mbetja tjetër e financave (980 mijë euro) ishte kthyer në suficit sepse vetë ministria ishte prolonguesi dhe frenuesi i projektit për këtë vit. Pra, veprimet qënë vitin që frenohet projekti, në të njëjtin vit rimbushet fondi për projektin me 800 mijë euro përkundër vërejtjes time që këto para nuk mund të shpenzohen te “Mirusha” flet për mungesë totale të koordinimit dhe të vizionit të kësaj ministrie me komunën.
Vetë Kryeministri Thaçi (përmes zv.kryeministrit Kuqi) dhe ministrit Gashi e ka bërë të mundur menagjimin e projektit nga komuna e Gjilanit pikërisht për shkak të problemeve që kjo ministri i ka bërë komunës në fazën e përë të saj.
Efektivisht në këtë projekt është punuar rreth 2 vite dhe janë bërë përparime të mëdha por duhet pranuar që një vit është humbur nga MMPH dhe tashti në fazën e dytë punëkryesi e ka ulur dinamikën e punës (për çka edhe ka marrë vërejtje nga mbikqyrësi i projektit dhe nga MMPH) për shkak se financiarisht nuk qëndron mirë por kjo aspak nuk ka të bëjë me shpronësimet e komunës.
I mbetet pra MMPH-së që bashkë me komunën të koordinohet mirë dhe ta shtyjë projektin deri në realizim final. Pjesa më e ndjeshme e projektit është kaluar nëpër zonën urbane sepse kanalizimi i tij është vendosur në të dy anët e shtratit në gjatësinë prej 2.5 km prej fundit të lagjes së Zabelit deri te stadiumi i qytetit (krejt gjatësia e projektit është 4.0 km).
I falënderojmë edhe njëherë të gjithë pronarët e tokave dhe ndërtimeve përreth projektit “Mirusha” për bashkëpunim të shkëlqyer në realizimin e këtij projekti. Ata e kanë kuptuar plotësisht rëndësinë e madhe që e ka ky projekt për funksionimin e qytetit edhe në kuptimin ambiental por edhe në atë ekonomik. /2lonline/