“LDK konsideron se dialogu me Serbinë është çështje shumë serioze për Kosovën. Një çështje serioze duhet të ketë qasje serioze dhe institucione që e përfaqësojnë me legjitimitet. Jo njerëz që shkojnë në Bruksel për të përgojuar opozitën. Logjika dhe kultura evropiane nuk i kultivon dhe nuk i preferon sjelljet e tilla”, ka shkruar, ndër tjerash, në profilin e tij në facebook, Isa Mustafa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Të nderuar qytetarë,
Dje Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë. Mos të flas për numrin. Më parë, me kompetencë, një ministre e bënte punën e gjithë atyre që ishin në Bruksel.
Ajo që dëgjuam, ishte se ata e morën një porosi të qartë. Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën, si parakusht për dialogun.
Bashkëkryesuesit në deklaratat e tyre nga Brukseli u munduan ti tregojnë Kosovës se kush janë. Ata u morën me vetveten, jo me esencën e dialogut; u morën me taksën, pa dhënë përgjigje, dhe u morën me LDK-në.
LDK konsideron se dialogu me Serbinë është çështje shumë serioze për Kosovën. Një çështje serioze duhet të ketë qasje serioze dhe institucione që e përfaqësojnë me legjitimitet. Jo njerëz që shkojnë në Bruksel për të përgojuar opozitën. Logjika dhe kultura evropiane nuk i kultivon dhe nuk i preferon sjelljet e tilla.
Kosovën në Bruksel duhet ta përfaqësoj një Qeveri me përkrahje të gjerë, e cila për çështje të dialogut arrin të sigurojë unitet. Ndryshe, të tjerët do na i bëjnë letrat e ne do të vazhdojmë të përplasemi ndërmjet veti. IM