/2L ONLINE/ – Kryetarit i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë se pamjet e fundit nga kufiri greko-maqedonas të mijëra refugjatëve nga zona të luftës në Siri që po tentojnë të sigurojnë një jetë në paqe dikund tjetër na kanë sjellur në kujtesë përjetimet tona të hidhura nga koha e luftës në Kosovë dhe konfliktit në Maqedoni. Nuk ka popull në Ballkan që ka përjetuar më gjatë e më rendë jetën e hidhur të refugjatit, sesa populli shqiptar.
“Si shqiptarë, kudo që jemi, ne ndihemi të brengosur me fatin e atyre që sot po kërkojnë paqe e strehë të sigurt në prag të tokave tona etnike. Populli shqiptar ndër shekuj është shquar për bujari e fisnikëri, veçanërisht ndaj atyre në nevojë. Si preshevarë, ne sot i kemi zemrat e dyert e hapura për nevojtarët e ikur nga lufta, përkundër një mal problemesh tona që na rëndojnë si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik”, ka thënë Mustafa.
Ai tha se Komuna dhe qytetarët e Preshevës, duke i patur të freskëta kujtimet e së kaluarës sonë jo të largët e të dhimbshme, solidarizohen me refugjatët nga Siria dhe i apelojnë fqinjëve tanë maqedonas që në vend të dhunës dhe trishtimit të mëtutjeshëm të këtyre nevojtarëve, atyre t’iu afrojnë përkrahje dhe mikpritje, përkohësisht, deri sa në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar të gjendet zgjidhje adekuate.
“Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që mundemi në këtë drejtim. Tradita dhe historia jonë nuk na lejojnë t’i mbyllim as sytë, as veshët, e as zemrën kundrejt kësaj krize refugjatësh. Rajoni jonë nuk ka nevojë për ripërsëritje të Bllacës famëkeqe nga e cila e pësuan shumë gra, të moshuar e fëmijë shqiptarë!|, ka thënë Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa. /2L ONLINE/