Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, njëherësh anëtar i Këshillit të Drejtues të PDK-së, Qemajl Mustafa, ka thënë se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese do të zhbllokohet situata e krijuar, pavarësisht se nga cila anë do të bjerë topi.
Në intervistën për “Epokën e re”, ka thënë se për tejkalimin e ngërçit politik edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme janë një nga opsionet. “Pres që vendimi i gjykatës ta zhbllokojë situatën, pavarësisht nga cila anë bie topi. Zgjedhjet e reja janë opsioni i dhimbshëm, por mbajtja e tyre pretendohet se do të jetë zgjidhje e problemit”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, PDK-ja nuk është përgjegjëse për vonesën e formimit të institucioneve, por ka thënë se fajin për këtë e ka koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma. “Para së gjithash, janë inatet e bllokut humbës opozitar që e bllokuan situatën duke marrë qëndrim absolut kundër PDK-së, e cila fitoi më së shumti besim nga qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 8 qershorit”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se mungesat e qëndrimeve të qarta, të shpjegimeve në Kushtetutë dhe në Rregullore të Kuvendit, si dhe sjellja komode e vet Gjykatës janë bllokuesit kryesorë.
Duke e komentuar faktin se PDK-ja nuk e ka shumicën e deputetëve në Kuvend, ai ka thënë se situata mund të ndryshojë çdo ditë në politikë. “Situata mund të ndryshojë secilën ditë në politikë dhe nuk duhet të fiksohemi te data e 17 korrikut. Ta presim fundin e këtij muaji dhe fillimin e shtatorit”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, është herët të flitet nëse PDK-ja do ta vazhdojë mandatin e tretë qeverisës apo do të dalë në opozitë. “Është herët të konstatojmë se PDK-ja po del në opozitë sepse opsioni që po i ofrohet Kosovës për qeverisjen e saj nuk sjell asgjë të re. Ky koalicion është i sprovuar dhe, për fat të keq, ishte i dështuar plotësisht në qeverisjen e Kosovës”, ka theksuar Mustafa. Por, ai ka thënë se nëse krijohen rrethanat që PDK-ja të shkojë në opozitë, kjo do t’i bëjë hair shëndetit të saj.
Mustafa ka thënë se vendin në zgjedhje të reja nuk mund ta çojë PDK-ja, por Gjykata Kushtetuese. “Vendin në zgjedhje eventuale të jashtëzakonshme nuk e çon PDK-ja sepse ajo nuk e ka këtë fuqi. Këtë mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj interpretues të cilin po e presim në fund të këtij muaji”, ka thënë Qemajl Mustafa.
http://epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=49969&Ctype=1