Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Jonuz Musliu, në një Telegram urimi dërguar Presidencës së Republikës së Kosovës ka uruar për zgjedhjen e Hashim Thaçit për President. “Më lejoni që në emrin tim personal, në emër Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe në emër të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të iu shprehë urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes Tuaj për President të Republikës së Kosovës” thuhet në Telegram, më tej Musliu vazhdon “Shfrytëzoj rastin t’ju shprehë mirënjohjen tonë të thellë për bashkëpunimin që Kosova dhe institucionet e saj shtetërore kanë pasur me Luginën e Preshevës duke shpresuar që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe më shumë në të ardhmen”. Gjithashtu, Musliu ka kërkuar prezencë më të madhe të të parit të Republikës së Kosovës, “Ashtu siç ishit me ne gjatë ditëve më të vështira, Këshilli Kombëtar Shqiptar kërkon prezencën Tuaj më të madhe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në përpjekje për ta zgjidhur problemin e Luginës së Preshevës” ku edhe shprehi indinjatën për dhunën e shfaqur “Njëkohësisht, më lejoni që të dënoj dhunën jo vetëm në Kosovë, por gjithkund ku mund të shfaqet” është nëvizuar në Telegram. “Duke ju dëshiruar suksese në realizimin e të gjitha obligimeve kushtetuese në kuadër të këtij Institucioni të lartë shtetëror dhe shprehim besimin e bindjen e thellë se në Presidencën e Republikës së Kosovës do të mbizotërojë drejtësia, zhvillimi ekonomik dhe integrimi i plotë i Republikës së Kosovës në Bashkimin Europian dhe strukturat veriatlantike” përfundon telegrami i dërguar nga i pari i KKSH-së. http://titulli.com/index.php?m=post&s=24723