Një delegacion i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), i udhëhequr nga kryetari Jonuz Musliu të martën i bëri vizitë Komunës së Preshevës, me ç’rast në dy vjetorin e heqjes së lapidarit vendosi lule dhe bëri thirrje për kthimin e tij.
“Për derisa në Kosovë ditë e më shumë bëhet zbulimi i përmendoreve serbe dhe askush nuk i pengon, kurse në Luginën e Preshevës jo vetëm që i mohohet një e drejtë e tillë por në mënyrën më barbare e heqjen lapidarin” tha Musliu.
Në Komunën e Preshevës ky delegacion në përbërjen e strukturave udhëheqëse u mirëprit nga kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ku ngritën disa tema për diskutim.
Gjithsesi, u vlerësua roli i KKSH-së dhe se bashkëpunimi me komunat, përkatësisht me komunën e Preshevës është i domosdoshëm që të zgjidhen problemet e shqiptarëve.
Mustafa uroj KKSH-në që në funksionimin e këtij mandati të jetë Këshill që do të zgjidhë problemet e shqiptarëve.
Sipas kumtesës së KKSH-së u diskutua edhe për marrëveshjen e 7 tetorit të arritur mes subjekteve politike Shqiptare të Luginës së Preshevës në përbërje të PDSH, PD, LPD, RD dhe BDL, në dy koalicione si “Koalicionit të Shqiptarëve të Bashkuar” dhe listës “Partia Demokratike Dr.sc Nagip Arifi” ku u vendosën parimet bazë si:
Qëndrim të paluhatshëm në lidhje me përdorimin e simbolit kombëtar; përdorim të teksteve mësimore për nxënësit e shkollimit fillor e të mesëm të pranohen vetëm tekstet e botuara në Prishtinë ose Tiranë pa asnjë alternativë tjetër; mbrojtjen e gjuhës, shkrimit, kulturës, traditës, historisë dhe informimit shqip në Luginë të Preshevës duke ruajtur gjithsesi edhe vlerat e luftës së lavdishme të UÇPMB-së; mbajtjen edhe më tutje në fuqi verdiktin e shprehur të popullit shqiptar të Luginës së Preshevës në Referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992. Mbi bazën e këtyre parimeve do të vazhdoi të udhëhiqet dhe avancoi zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, thuhet në kumtesë.
Në nder të fillimit të gjysmë vjetorit shkollor pas vizitës në Komunën e Preshevës, Musliu vizitoi shkollën e mesme Teknike “Presheva” dhe Gjimnazin “Skënderbeu” ku delegacioni i KKSH-së u takuan me drejtorët e këtyre institucioneve shkollore Telat Arifi dhe Abdurrahman Zylfiu.
Me këtë rast, sipas kumtesës së KKSH-së u ngritë problematika e teksteve të munguara dhe të vjetruara, provimet profesionale, kushtet e vështira të mësimnxënijes, numri në zvogëlim e sipër i nxënësve.
Kryetari Musliu i uroj fillimin e gjysmë vjetorit të dytë dhe për suksese më të mëdha, nga se siç tha “këto institucione kanë qenë dritë për Luginën e Preshevës dhe Kumanovën nga kanë dalë profesora, doktora, akademik të dalluar mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar. Andaj uroi që kjo rrugë të vazhdohet, të jetë në nivel të duhur dhe të përsëriten sukseset nga se trashëgimia i obligon.