Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, në një intervistë ekskluzive për Titullin, flet për fushat ku është kompetent Këshilli Kombëtar, për bashkëpunimin me institucionet lokale e republikane, me Shqipërinë e Kosovën, si dhe me bashkësinë ndërkombëtare.
Për tekstet shkollore në gjuhën shqipe Musliu thotë se obligimi i KKSH-së është që prej vitit të ardhshëm shkollor nxënësit shqiptar të kenë tekstet nga Kosova dhe Shqipëria, ndërsa sa i përket fenomenit të pasivizimit të vendbanimeve, ai akuzon shtetin e Serbisë, duke e quajtur këtë akt “racizëm”.
Titulli: Po fillojmë intervistën me kompetencat e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) me radhë. Në fushën e kulturës cilat janë planet, pasi kemi kërkesa e propozime për themelimin e disa institucioneve, siç janë teatri profesionist, muzeu, arkivat e trashëgimisë kulturore e të tjera?
Jonuz Musliu: Dihet së ndër shtyllat kryesore të këshillit nacional është edhe kultura. Sa i përket teatrit profesional, ne si rajon, dihet se sa kemi hapësirë edhe përkundër vullnetit dhe dëshirës. Ka nevojë ta kemi një teatër të këtillë, por mundësitë janë të vogla me mjetet që posedon këshilli. Megjithatë në bazë të programit, pasi që kemi komisionin për kulturë, në projekt janë, pasi që kemi disa kërkesa nga teatrot amatore, por me kushtet dhe rrethanat e KKSH-së mundësitë janë shumë të vogla. Mendoj se në të ardhmen duhet të kemi më afër Kosovën dhe Shqipërinë, t’i bëjmë ftesa të vijnë e të japin shfaqje në Bujanoc e Preshevë. Është momenti të na ndihmojnë Shqipëria e Kosova, jo vetëm në fushën e kulturës, por edhe në fushat tjera.
Titulli: Si e vlerësoni gjendjen aktuale në fushën e arsimit, pasi në këtë fushë ekziston problem i madh i mungesës së teksteve shkollore në gjuhën shqipe?
Jonuz Musliu: Ne edhe në zgjedhje si koalicion kemi paraqitur platformën e përbashkët për zgjidhjen e problemeve në arsim, kur dihet se problemi i arsimit në Luginë është tejet i madh, si mungesa e teksteve mësimore, pastaj mospërputhja e teksteve e planprogrameve, dhe të tjera. Edhe përkundër tendencave që të zgjidhen këto probleme, qeveria e Serbisë e ka parë situatën me sy krejt ndryshe për të mos lënë shqiptarët të mësojnë krahas shokëve të tyre përreth. Gjendjen me tekstet e din edhe faktori ndërkombëtar, e dijnë edhe Kosova e Shqipëria, por e din edhe ministria e arsimit. Ne si koalicion kemi shtyllë kryesore që tekstet të jenë nga Kosova dhe Shqipëria si bazë për vitin 2015/2016. Vetë ministri i arsimit të Kosovës e pa se si zhvillohet mësimi, në çfarë kushte, me çka ballafaqohen nxënësit. Premtimi i ministrit ka qenë që sivjet së paku të bisedohet në mënyrë urgjente me ministrin e arsimit të Serbisë në Bruksel. Mendoj se është koha që tekstet të vijnë legalisht, edhe qëllimi i KKSH-së është që të jenë tekstet mësimore legale. Pjesa tjetër është që nuk ka hapësirë për përkthime siç kanë filluar më herët sepse cilësia nuk është në nivel, sepse këto përkthime mund t’i bëjë vetëm Akademia, e jo individët pa marr parasysh sa është profesional. Në bazë të premtimit të ministrit, tekstet janë duke u shtypur në Kosovë, por e dyta është që të ketë një reciprocitet me serbët e Kosovës. Kur për ata nuk ka kurrfarë pengese në zhvillimin e mësimit me tekstet mësimore të Serbisë, pse ne të pengohemi. Nuk e di çka e pengon Serbinë që nxënësi shqiptar të mësojë në gjuhën amtare. Këtu duhet të kemi një unifikim të faktorit shqiptar dhe duhet detyruar Serbinë, pasi Serbia nuk është e interesuar që t’i jap të drejta shqiptarëve, të lejojë tekstet, të zhvillohet mësimi. Por edhe ne duhet të angazhohemi më tepër për këtë çështje, prandaj obligimi i Këshillit Kombëtar dhe i koalicionit që për vitin 2015/2016 në duart e nxënësve të jenë tekstet mësimore të Kosovës dhe Shqipërisë.
intervista e plotë në:
http://titulli.com/index.php?m=post&s=15020