Skender JASHARI
Muri në Mitrovicë, veçmas këto 2 javët e fundit, gjithnjë e më shumë është duke patur implikime dhe ndërlidhëshmëri me realitetin në Luginë të Preshevës. U dëgjuan edhe opsione politike, por të cilat nuk kishin qëndrueshmëri në asnjë aspekt tjetër, si ajo për shkëmbim territoresh (pra një formë të ndarjes së Kosovës).
Derisa këto dy ditët e fundit, u njohëm në medie, që është arritur një marrëveshje për heqjen e Murit në Mitrovicë, kjo është njëra anë e marrëveshjes, që pala shqiptare i referohet, porse pala serbe i referohet anës tjetër të marrëveshjes-koncesionit të bërë, që paralajmërojnë një “mur” tjetër edhe më të lartë! Praktikisht dhe realisht asnjë marrëveshje në botë nuk bëhet vetëm me lëshim të një pale, por në çdo rast dy palët bëjnë lëshime!
Për një gjë jemi të sigurt, që edhe pse pala shqiptare nuk është duke e thënë ende, në këtë marrëveshje është edhe lëshimi ynë! Me këtë Serbia, përmes instrumentalizimit të minoritetit serb të veriut të Kosovës, në një të ardhme jo më larg sesa 1 vit, do shkaktoj një “veprim të ri”, sipas gjitha mundësive do jenë me efekte politike të ngjashme apo edhe më të mëdha!
Derisa problemet e brendshme të Kosovës, dialogohen në Bruksel me një shtet tjetër (Serbinë), nga ana tjetër Lugina e Preshevës, mbetet plotësisht e harruar, edhe pse ishte premtua ndërkombëtarisht zgjedhja e Statusit Politik me dialog! Derisa problemi i Luginës së Preshevës, që në 2001, ishte i njohur ndërkombëtarisht, por që pastaj në vazhdimësi minimizohej, ndërsa i Kosovës Veriore, është ngritur më pas!
Ne Lirinë kërkojmë vetëm kur armiku na detyron! (fatkeqësisht)
Lugina e Preshevës, veçmas spektri i saj politik, uroj e dua t’i paralajmërojë që mos të kapemi sërish në befasi, me këtë “murin e ri të paralajmëruar”! “Veprimi i ri” që do ndërmarrin Serbia përmes serbëve të veriut, është e rëndësishme jo vetëm për çështjen interne të Republikës së Kosovës. Rusia njëjtë vepron në shumë vende të botës (kujto: Ukrainën, Sirinë, por edhe shumë vende të tjera), njëjtë edhe Serbia është në Ballkan!
Derisa bota ka sytë në Ballkan, të njohur si dialogu Kosovë-Serbi, derisa historia na tregon rastin e Dejtonit (kur Kosova përjashtohej nga trajtimi- e mos të përmend raste të tjera), e që pastaj pasoi Lufta e përgjakshme! Një gjë të tillë mos t’ia lejojmë qytetarëve tonë në Luginë, që shkaku i mosbërjes pjesë të dialogut edhe Statusi politik i saj të mbetet peng i një lufte të ardhshme (të gjithë që do ju thonë, s’do ketë luftëra, vetëm ju mashtrojnë)! Heshtja juaj (e politikanëve të Luginës), mbartë në vete edhe përgjegjësinë dhe fajësinë, për çdo kalvar i ardhshëm i Luginës!
T’i paraprijmë Lirisë së Luginës, mos të presim të na detyroj armiku!
Mos të harrojmë, derisa e lejojmë që Serbia të veprojë lirshëm kundër Atdheut tone (në Kosovë), e ne, Lugina e Preshevës shikojmë, nesër po kjo do veproj lirshëm kundër Luginës, derisa Kosova do shikojë!
Qeveria e Kosovës, duhet të koordinohet dhe që t’i udhëzojë edhe qeverinë lokale të Luginës, që nga dialogu Kosovë-Serbi, të nxjerrin më shumë lëshime nga Serbia! (derisa hyhet në dialog, synimi kryesor është përfitimi i sa më shumë lëshimeve-koncesioneve të palës tjetër)!
“Muri tjetër”mos ta zë Luginën në befasi, e pastaj të dalin edhe më shumë zëra, duke tentua ta arsyetojnë një opsion politikë, duke copëtua një pjesë tjetër të Atdheut.