Kryetarit të Prizrenit Ramadan Mujës për katër pikat e aktakuzës iu shqiptua dënimi me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Zyrtarët tjerë komunalë morën gjithashtu dënime me kusht, por më të vogla.
Muja i akuzuar bashkë me pesë zyrtarë të tjerë komunalë për keqpërdorim detyre dhe të autorizimit, do ta ketë të ndaluar ushtrimin e funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh, transmeton RTK.
Procedura ndaj Mujës dhe të tjerëve, ishte nisur më 25 mars të vitit të kaluar, për të përfunduar në marsin e sivjetmë.
Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Nëse vendimi i shkallës së parë konfirmohet në instancat më të larta gjyqësore, atëherë në Prizren duhet të zhvillohen zgjedhjet për kryetar të Komunës.