MTI dhe ADA marrëveshje bashkëpunimi për t’i ndihmuar Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme

MTI dhe ADA marrëveshje bashkëpunimi për t’i ndihmuar Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shefin e zyrës së Agjencionit Austriak për Zhvillimit (ADA) në Kosovë, Gunther Zimmer.

Marrëveshja do t’i shërbejë sektorit privat me qëllim të krijimit të masave lehtësuese, të cilat do të zhvillojnë edhe me tutje sektorin privat dhe ngritin vetëdijen ndërmarrëse në Kosovë.

Ministri Shala tha se është me rëndësi të përmendet se masat janë përshtatur për të nxitur ndryshime në sistem të funksionimit sa më të mirë të ndërmarrjeve, në metodologjinë gjithëpërfshirëse të sistemit të tregut duke lehtësuar aktivitetet e palëve të interesit dhe sigurimin e ndikimit sistemik.

“Projekti si i tillë do të tentojë që të rrisë rezultatet e të ardhurave më të larta dhe mundësive të punësimit në sisteme më të qëndrueshme të tregut. Projekti do të kontribuon në fuqizimin e konkurrueshmërisë së kompanive të sektorit privat dhe në rritjen e të ardhurave të tyre përmes qasjes së qëndrueshme në treg dhe lidhjeve më të fuqishme rajonale dhe ndërkufitare. Masa të tilla rrisin produktivitetin dhe profitabilitetin për shkak të shërbimeve të diversifikuara dhe të përmirësuara të zhvillimit dhe digjitalizimit të biznesit. Akterët kyç institucional do të mbështeten për të përmirësuar dhe përshtatur shërbimet dhe politikat e tyre, për të siguruar qëndrueshmëri dhe përfshirjen më të madhe në të gjitha sferat e ndërmarrësisë”, tha Shala.

Ky projekt ka për qëllim nxjerrjen e rezultateve, duke ofruar mjete dhe shërbimet e reja digjitale relevante që do të janë në dispozicion dhe të përdoren nga Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme të Kosovës (NMVM). Po ashtu NVM-të e Kosovës të përmirësojnë nivelin e tyre të digjitalizimit dhe krijojnë lidhje tregu dhe konsulentët e bizneseve të ofrojnë shërbime të digjitalizimit, të cilat janë efektive dhe të përballueshme për NVM.

“Pra, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë edhe me tutje do te vazhdoje të mbështes sektorin privat dhe për rrjedhoje të ndryshoje edhe me tutje sistemin e funksionimit të NVM-ve kosovare, me qellim të zhvillimit ekonomik, qasjes në tregje të huaja dhe rritjen e punësimit. MTI do të jetë derë e hapur për të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë dhe vendor me idenë që së bashku mund të krijojmë një ambient miqësor dhe të përshtatshëm për zhvillimin e shpirtit ndërmarrës”, theksoi ministri Shala.

KOMENTE