Është arritur marrëveshja me Pfizer për blerjen e 1.213.290 dozave të vaksinës COVID-19.
Ky moment shënon hapin më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës përballë Covid-19, duke ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe sistemin tonë shëndetësor, thuhet në njoftimi ne Ministrisë së Shëndetësisë(MSH).
Sipas këtij njoftimi, pas një pune intensive të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ekipit Negociator të Vaksinës, Kosova ka siguruar doza të mjaftueshme për të kryer vaksinimin përtej grupeve prioritare në përputhje me Planin Shtetëror të Vaksinimit.
Më tej thuhet: “Kosova ka një kapacitet të zinxhirit të ftohtë për secilin lloj të vaksinave, duke mundësuar që ato të ruhen sipas standardeve.
Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me një ritëm të shpejtë, për të arritur vaksinimin e 60% të qytetarëve deri në 2021.
Procesi i vaksinimit po vazhdon të zbatohet në përputhje me të gjitha parametrat e cilësisë dhe sigurisë nga ekipet e trajnuara në të gjithë vendin.
Mirënjohje për profesionistët mjekësor dhe stafit mbështetës për përpjekjet e vazhdueshme për t’u marrë me secilin aspekt kompleks të vaksinimit COVID-19 dhe për hartimin e planit shtetëror të vaksinimit COVID-19. Vaksinimi masiv do të jetë një hap i rëndësishëm drejt fitores në luftën tonë kundër COVID-19, përfshirë aksesin e sigurt dhe të plotë në shërbimet vitale.
Vaksinat kundër COVID-19 ofrojnë shpresë, por edhe më tej, do të duhet të kujtojmë masat parandaluese, të tilla si distanca sociale, maskat dhe ventilimi, duke shmangur grumbullimet dhe mjediset e brendshme, ndërsa higjiena e duarve duhet të vazhdojë të mbahet edhe pas vaksinimit”, thuhet në fund të njoftimit të Minsitrisë së Shëndetësisë.