Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, priti sot në takim ekspertë të Mjekësisë Familjare nga Kolegji Mbretëror i Britanisë së Madhe, të cilët njëherësh janë edhe mbikëqyrës të programit specialistik të Mjekësisë Familjare në Kosovë, ku u bisedua për rrjedhën e këtij programi.
Ministri Rrahmani pasi i njoftoi ekspertët britanik për të arriturat e MSh-së në fusha të ndryshme të përgjegjësive që i mbulon, potencoi fokusin e MSh-së në mbështetje të edukimit të vazhduar të mjekëve familjarë me programin specialistik, që për qëllim ka ngritjen e kapaciteteve profesionale të mjekëve familjarë respektivisht ngritjen e cilësisë së shërbimeve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Ai shprehu falënderimin e tij për Kolegjin Mbretëror të Britanisë së Madhe, “për angazhimin e ekspertëve të Mjekësisë Familjare, që po ndihmojnë që kjo fushë të zhvillohet sipas standardeve të larta edhe në Kosovë”.
Ekspertët britanik kanë njoftuar Ministrin Rrahmani për ecurinë e programit të cilin e vlerësuan të dobishëm dhe mjaft të rëndësishëm dhe siç thanë ata “ zhvillimi i Mjekësisë Familjare, është mënyra më e mirë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarit dhe që ka një kosto shumë më të ulët financiare të mbrojtjes shëndetësore”.
Në takim u bë e ditur se në muajin shtator të këtij viti në Kosovë, do të organizohet një Konferencë ndërkombëtare, ku do të prezantohen dobitë e zhvillimit të Mjekësisë Familjare me qëllim të vetëdijesimit të popullatës në përgjithësi.
Programi Specialistik i Mjekësisë Familjare në Kosovë është akredituar nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm i Britanisë së Madhe (MRCGP).