Mrika Krasniqi Shala, që njëherësh është kandidate për deputete nga “Koalicioni për Familjen”, për zgjedhjet e 9 shkurtit, ka thënë se “Ne, “Koalicioni për Familjen” jemi ata që i qëndrojmë pas fjalës sonë të dhënë. Ne nderojmë të rënët për lirinë e atdheut, me respektin më të thellë përjetësisht, dhe asnjëherë nuk lëmë anash të gjallët të cilët presin nga politikëbërësit që jeta e tyre të ketë kuptim”.
Ajo tha se ky koalicion asnjëherë nuk lë pa kujtuar ata të cilët lanë gjymtyrët e shëndetin e tyre gjatë luftës, u jemi falënderues për gjithçka, por gjithmonë mendojmë edhe për të tjerët që për një apo arsye tjetër kalojnë jetën në mënyrë të kufizuar.
”Ne asnjëherë nuk lëmë anash pa kujtuar të zhdukurit, bëjmë çmos të ndihmojmë procesin dhe zbardhjen e secilit rast veç e veç, por asnjëherë nuk lëmë anash familjet e të zhdukurve, që përveç dhimbjes t’a ndjejnë edhe dorën e shtetit dhe t’u shtojmë krenarinë”, thotë Mrika Krasniqi Shala, për të shtuar edhe:
“Ne asnjëherë nuk lëmë anash pa kujtuar të burgosurit politikë dhe ata të cilët vuajtën nëpër burgjet e regjimit të kaluar serb, por asnjëherë nuk lëmë anash pa kujtuar familjet që në mungesë të tyre kanë vuajtur bashkë me ta”.
“Ne u qëndrojmë pranë të gjithëve dhe u jemi mirënjohës për qëndresën e tyre. Ne asnjëherë nuk lëmë anash familjet të cilave iu kthyen djemtë e tyre të vrarë tinëzisht nga shërbimi i dhunshëm ushtarak i regjimit të kaluar, por ne punojmë dhe kontribuojmë që familjet e tyre të jetojnë me krenari për djemtë që patën dhe t’ua zbusim sadopak dhimbjen e tyre”.
“Ne asnjëherë nuk lëmë anash mërgimtarët, që kurrë nuk i kthyen shpinën vendit e që kontribuuan në kontinuitet, para, gjatë dhe pasluftës. Ata vijnë me mallëngjim dhe të gëzuar në atdheun e tyre. Ne u jemi falënderues dhe mirënjohës pafundësisht. Ata janë shpirti i Kosovës, fryma e Kosovës, pjesë e pandashme e trupit të Kosovës”, thotë tutje Mrika Krasniqi Shala.
Sipas saj, “Koalicioni për Familjen”, kërkon përkrahjen dhe mbështetjen e qytetarvëe pa dallim, kërkon nga qytetarët të respektuar të drejtojnë vullnetin e tyre politik (me votën e tyre) tek personalitetet që ata vlerësojnë, tek ata që nuk premtojnë të pamundurën përveç asaj që është e mundur dhe e realizueshme, tek ata që respektojnë të gjithë, pa marrë parasysh cilit subjekt i takojnë, apo cilit grup etnik apo religjion, Ky koalicion është aty gjithmonë kur të gjithë ju lënë, janë aty për ju edhe atëherë kur qytetarët nuk mund ta shprehin mendimin e tyre.
“Andaj na jepni mundësinë me votën tuaj, adresoni votën tuaj për të mos u penduar më pas, ndihmoni vendin dhe vehten tuaj duke ngritur mirëqenien dhe duke ruajtur identitetin e dinjitetin tuaj. Në zgjedhjet që do të mbahen votoni “Koalicionin për Familjen”, që në themel të politikave e veprimeve shtetërore sheh vlerat etike e morale të traditës sonë familjare që mbështetet në identitetin tonë kombëtar, të formuar nëpër shekuj. Na votoni që së bashku ta realizojmë ëndrrën e përbashkët të integrimeve europiane e euro-atlantike të mbështetur në vlerat autentike të qytetërimit tonë mijëvjeçar”, thotë Mrika Krasniqi Shala, kandidate për deputete nga “Koalicioni për Familjen”, për zgjedhjet që pritet të mbahen me 9 shkurt. /2LONLINE/