Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Ja reagimi i tyre:
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka ASNJË njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen.
Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë.
Çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale.
Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjelltë. /2LONLINE/