Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, kanë përuruar sistemin e ri të gjendjes civile.
Tani e tutje, qytetarët e Republikës së Kosovës me vendbanim në Gjermani, Zvicër, Itali, Turqi dhe Arabi Saudite, kanë mundësi që faktet e gjendjes civile të ndodhura jashtë vendit, siç janë: lindja, martesa dhe vdekja, t’i regjistrojnë drejtpërsëdrejti në konsullatë.
Me këtë shërbim, shtetasve të Republikës së Kosovës, iu krijohet lehtësi e madhe për pajisje me dokumente personale siç janë ai për letërnjoftim dhe pasaportë.
Ky sistem prej sot fillon të funksionojë në konsullatat e Kosovës, në shtetet e lartcekura, ndërsa, pritet në vazhdim të krijohet mundësia teknike dhe ligjore edhe për konsullatat tjera të Kosovës.