Ministria e Punëve të Brendshme mbajti takimin e parë për Planin e Veprimit të Udhërrëfyesit rreth Armëve të Vogla, Armëve të Lehta dhe Eksplozivëve.
Këtë takim e hapi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Izmi Zeka i cili tha se Republika e Kosovovws po zbaton me sukses një fushatë legalizimi e cila filloi më 17 dhjetor 2018 dhe do të zgjasë deri më 17 qershor 2019.
“Ne po punojmë më tej për harmonizimin e ligjeve përkatëse dhe harmonizimin e direktivave dhe rregulloreve të BE-së, për të cilat janë mbajtur punëtori për plotësim-ndryshimin e Ligjit për armët dhe Ligjit për legalizimin dhe dorëzimin vullnetar të armëve, municioneve dhe materialeve shpërthyese”-tha z. Zeka.
Zëvendës-ambasadorja e Francës, znj. Carole Blestel, tha se është e kënaqur me dinamikën me të cilën është duke u punuar në drejtim të zbatimit të këtij Plani të Veprimit.
Ajo përgëzoi autoritetet kosovare për përkushtimin dhe dinamikën e treguar në zbatimin e Planit të Veprimit dhe bëri të ditur se Kosova është vendi i parë në rajon i cili ka adoptuar këtë Plan të Veprimit.
Ndërsa zëvendës-ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Jan-Alex Voss, tha se çështja e armëve të paligjshme është një temë serioze jo vetëm për Kosovën, por edhe për Gjermaninë, Francën dhe tërë Evropën. Ai tha se interesi i përbashkët i të gjithëve është që sa më parë këto armë të jenë të kontrolluara nga ana e autoriteteve.
Z. Voss ofroi përkrahjen e plotë të Gjermanisë në implementimin e Udhërrëfyesit dhe Planit të Veprimit.
Gjithashtu u.d. i Divizionit të Çështjeve Ligjore dhe Sundimit të Ligjit nga Zyra e BE-së, z. Hakan Ejdervik, tha se çështja e armëve ilegale është një temë shumë serioze sepse rrezikon drejtpërdrejtë sigurinë e të gjithë qytetarëve.
“Ne përballemi me sfida të shumta por jam i bindur që së bashku mund t’i luftojmë në mënyrë që të ruajmë paqen në Evropë”-tha ai.
Ky Udhërrëfyes ofron zgjidhje të qëndrueshme për posedimin, keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta (AVL) dhe municionin e tyre në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2024, ku u miratua në Samitin e Londrës më 10 korrik 2018.
Udhërrëfyesi zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet relevante të rajonit nën kujdesin e Republikës Federale të Gjermanisë dhe përkrahjen teknike të SEESAC/UNDP dhe në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Komisionin Evropian.
Ndërsa Plani i Veprimit për zbatimin e Udhërrëfyesit u miratua gjithashtu nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetor 2018.
Organizimi i këtij takimi mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Vendimit të Këshillit (CFSP) 2018/1788 dhe do të ofrojë mundësi për të koordinuar zbatimin e aktiviteteve, për të ndihmuar në monitorimin e progresit, identifikimin e sfidave, boshllëqeve dhe nevojave për mbështetje si për qëllimet specifike të Udhërrëfyesit si dhe Planin e Veprimit të miratuar nga Qeveria.