Në kuadër të Strategjisë Shtetërore për Riintegim të Qëndrueshëm të Personave të Riatdhesuar 2018-2022, si dhe Planit të Veprimit 2018-2020, Ministria e Punëve të Brendshme mbajti një konferencë të përbashkët me partnerë për të koordinuar aktivitetet e ri-integrimit 2018.
Në hapjen e kësaj konference mori pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka.
Fjala e Zekës në këtë konferencë.
Të nderuar kolegë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të Republikës së Kosovës;
Të nderuar partner të projekteve të ndryshme përkrahëse në fushën e ri-integrimit të personave të riatdhesuar.
Më lejoni që në cilësinë e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme dhe të Koordinatorit Nacional për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar, ju dëshiroj mirëseardhje në punëtorinë e sotme, e cila ka për qëllim diskutimin e strategjisë së re shtetërore për ri-integrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar 2018-2022, si dhe planifikimin e përbashkët mbi masat që do t’i ndërmarrim bashkërisht si institucione shtetërore dhe partnerë ndërkombëtar, për implementimin sa më efikas të kësaj politike shumë të rëndësishme shtetërore.
Politika jonë shtetërore e ri-integrimit të personave të riatdhesuar vlerësohet edhe nga mekanizmat ndërkombëtar, si një nga politikat më të avancuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për çfarë edhe ne si Qeveri e Republikës së Kosovës krenohemi që jemi një nga shembujt më të mirë në rajon dhe më gjerë rreth zbatimit të kësaj politike.
Zhvillimi i politikës së ri-integrimit të personave të riatdhesuar është bërë si rezultat i kërkesave nga Dialogu për Liberalizim të Vizave me BE-në, si dhe nga kërkesat për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, sidoqoftë politika e ri-integrimit të personave të riatdhesuar është e ndërlidhur edhe me historinë dhe zhvillimet para dhe pas luftës, për çfarë ne si shtet është dashur të përkujdesemi për qytetarët tanë në mënyrë që ta kenë sa më lehtë ri-integrimin në shoqërinë kosovare, në veçanti për fëmijët të cilët janë lindur jashtë Kosovës dhe kanë pasur nevojë për mësim të gjuhës amtare, si dhe kategorive të ngjashme.
Serioziteti i shtetit tonë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës është treguar duke krijuar mekanizmat e nevojshëm institucional, krijimin e bazës strategjike dhe ligjore për ri-integrimin e personave të riatdhesuar dhe përveç kësaj edhe përmes alokimit të fondeve nga Buxheti i Kosovës në një vlerë afër 3 milion eurosh në vit. Duhet theksuar se kjo vlerë e fondeve është signifikante duke pas parasysh prioritetet dhe nevojat për investime në shumë fusha në Kosovë, megjithatë tregon seriozitetin dhe përkushtimin që qytetarët tanë të riatdhesuar të kenë mundësi të ri-integrimit të qëndrueshëm në Kosovë, sepse ata janë potenciale i zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies sociale në Republikën e Kosovës.
Shfrytëzoj rastin të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtar të cilët na kanë ofruar përkrahje të vazhdueshme në zbatimin e politikave të ndryshme shtetërore dhe në veçanti të politikës së ri-integrimit të personave të riatdhesuar. Sukseset dhe progresi që vlerësohet nga mekanizmat Evropian dhe ndërkombëtar janë arritje dhe rezultat i punës sonë të përbashkët dhe bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi pasur. Ndaj bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim të zbatimit sa më efikas edhe të strategjisë së re për ri-integrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar.
Është me rëndësi të theksohet që në vitet e fundit kemi kaluar nga masat për ndihmë emergjente në masat për ri-integrim të qëndrueshëm dhe prandaj edhe emërtimi i strategjisë së re është Strategjia për ri-integrimin e qëndrueshëm të personave të ri-atdhesuar. Andaj në kuadër të kësaj strategjie duhet fokusohemi në programet inovative dhe kreative që kanë për qëllim ri-integrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar, për çfarë edhe kontributi i qytetarëve tanë që kalojnë përmes këtyre skemave të reflektoj të mirën e përgjithshme të vendit tonë dhe për të kontribuar në zhvillim të vendit. Dhe këtë besoj fuqishëm se do ta arrijmë përmes punës së përbashkët.
Duke ju uruar një ditë të mbarë dhe sesion të suksesshëm të punës sonë, më lejoni që edhe njëherë të ju falënderojë për bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këtë punëtori.