Kuvendi i Kosovës, pas diskutimeve për Projektligjin për tatim në të ardhurat e korporatave, nuk e përkrahu propozimin e deputetit Bekim Haxhiu duke mos e kaluar amendamentin që bënte harmonizimin me Ligjin për sponsorizime dhe duke vazhduar pamundësinë e zbatimit të tij. Për të votuan vetëm 55 deputetë.
Pas këtij refuzimi nga deputetët, kanë reaguar trajnerët e njohur në Kosovë, Afrim Tovërlani e Tahir Batatina.
“Kur ka ndeshje turr e në VIP lozha, turr në salla, turr në foto. O të mjerë, o demagogë, o mos hajdeni kurrë në sport se jeni mashtrues, e rrenca e s’po duam sytë me ua pa”, ka shkruar Tovërlani në një postim në Facebook.
Në anën tjetër, trajneri i Llapit, Batatina, ka shtruar pyetjen se a duhet të ketë protesta që të dëgjohet zëri i sportistëve.
“Kënd po e pengon ligji për sponzorizim, pse nuk u miratua ligji sot në kuvend? Për çka po mburret Kosova? Me fabrika, me prodhim apo me korrupsion!!! Pse po pengohemi aty ku duhet të investojmë, të mbajmë gjallë këta të rinj? A duhet të mos përkrahemi dhe mbështetemi ne që financojmë në sport apo duhet lënë rininë dhe talentet rrugëve? E di se nuk kemi një njeri si Legjenda, Fadil Vokrri, por në krye dhe me pozita të zëna në futbollin e Kosovës, i kemi njerëzit që punojnë për interesa personale. Pse futbolli ynë duhet të jetë vegël e dikujt, kurse dikush të ndaj kafshatën e bukës për këtë rini! A duhet të ngrihemi në protesta ne që udhëheqim dhe financojmë klubet tona sportive? A duhet që t’i thërrasim tifozët të dalin në rrugë dhe nga sporti të dalim në josportivitet? Marre se kush ka marrë vota dhe ka hyrë në Parlament të Kosovës!!!” ka shkruar Batatina në Facebook.
Ligji për sponsorizime në sport e kulturë parashikon që bizneset mund të sponsorizojnë aktivitete të kulturës deri në 20 për qind të fitimeve dhe për atë shumë do të kenë zbritje nga tatimi, ndërsa për sport përqindja është 30.