DYLON

Reagon edhe FFK: Në seancën e radhës votojeni Ligjin, përkrahni sportin

Reagon edhe FFK: Në seancën e radhës votojeni Ligjin, përkrahni sportin
Avatar photo Elife Sherifi

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës kërkon nga Kuvendi i Kosovës që sa më parë në seancën e radhës të votojë Ligjin për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, i cili është jetik për zhvillimin e sportit dhe në veçanti për futbollin.

Mosmiratimi i këtij Ligji në seancën paraprake ka zhgënjyer tej mase komunitetin sportiv dhe njerëzit që për shumë dekada kanë qenë afër sportit, e të cilët nuk kanë kursyer asgjë për ta mbajtur gjallë aktivitetin e klubeve.

EkoHigjiena

“Ne, si KE i FFK-së, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në seancën e radhës të jenë në numër të mjaftueshëm dhe ta kalojnë këtë ligj, ngase kjo do të ishte përkrahja e tyre më e madhe për sportin në këtë periudhë.

Në kohën kur sporti ynë po i radhit sukseset e njëpasnjëshme dhe kur futbolli është bërë ambasadori më i mirë i vendit në botë dhe sukseset e djemve tanë të Kombëtares po na bëjnë krenarë të gjithëve, është obligim i secilit prej nesh që të jemi të përgjegjshëm dhe të punojmë për ta përkrahur sa më shumë sportin.

Miratimi i këtij ligji i hap rrugë zhvillimit të futbollit dhe klubeve tona dhe njëherësh ua mundëson dhe i josh kompanitë e shumta që t’i përkrahin klubet e futbollit për zhvillim edhe më të hovshëm, por krijon mundësi edhe për përmirësim të infrastrukturës. FFK falënderon të gjithë deputetët që po i japin mbështetje këtij ligji dhe shpreson se në seancën e radhës ky Ligj do të kalojë me shumicë votash.

Sportistët tanë po e bëjnë punën e tyre me krenari e përgjegjësi në çdo arenë, tani mbetet radha e deputetëve që të dëshmojnë se janë përkrahës të njëmendtë të zhvillimit të sportit, duke e votuar Ligjin në fjalë.

Bashkë, drejt sukseseve të mëdha!

Me respekt,

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së”, thuhet ne njoftimin zyrtar.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.