“Në lidhje me vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për fazat lehtësuese dhe hapjen graduale të ekonomisë, MEPTINIS rikujton se veprimtaritë e lejuara sipas kodeve NACE nuk mund të ushtrohen në qendra tregtare. Lejohen të operojnë vetëm barnatoret dhe shitoret ushqimore brenda qendrave tregtare”.
Kështu është thënë në një sqarim për Qendrat tregtare gjatë Pandemisë COVID-19, të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS)
Në këtë sqarim tutje thuhet se, Pika 6 e Vendimit të Qeverisë 01/09 të 13 marsit 2020 parasheh mbylljen e qendrave tregtare gjatë emergjencës së shëndetit publik për shkak të pandemisë COVID-19.
Pika 3 e Urdhëresës së MEPTINIS-it 01/05 të 23 marsit 2020, “qendrat tregtare (që operojnë në mjedise të hapura dhe të mbyllura, përfshirë këtu edhe çarshitë), përveç barnatoreve (mjekësore e bujqësore) dhe shitoreve ushqimore në këto qendra tregtare”
“Ministria e Shëndetësisë do të shqyrtojë hapjen e qendrave tregtare në fazën e dytë lehtësuese, që fillon më 18 maj 2020, në përputhje me situatën epidemiologjike dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe të ekspertëve të fushës”, përfundon sqarimi, transmeton Portlai 2LONLINE.com.
E një refleksion i tillë është parë sot edhe në Gjilan, ku nga Inspektoriati i MEPTINIS-it, janë mbyllur shitoret që kishin filluar operimin brenda në Qendrat Tregtare të Gjilanit. Por me një gjë të tillë nuk është pajtuar, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, duke e quajtur të padrejtë vendimin për mbylljen e sotme të bizneseve brenda hapësirave e të bërit biznes, në Qendrat Tregtare, “Agmia Center”, “Drini Market”, “Calabria”, “Interex” etj.
Ismajli vlerëson se ky vendim, nuk përkon me mbrojtje nga koronavirusi pasi që, jemi dëshmitarë, se në të gjitha marketet, ka grumbuj njerëzish, të cilët i frekuentojnë ato për furnizime, ndërsa, një biznes i vogël, ku mund t’i mbajë të gjitha masat e parapara, nuk mund të operojë brenda asaj hapësire të të bërit biznes.
Tjetra është, siç thotë ismajli se, shumica e këtyre bizneseve, kanë veprimtaritë e tyre edhe brenda hapësirave të qytetit, të cilat aty lejohen ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznesore. “Pse duhet të punojë e njëjta veprimtari brenda qytetit, ndërsa, në hapësirat e këtyre marketeve jo?!”, shtron pyetjen Ismajli, transmeton 2LONLINE.com.
Ai vlerëson se nuk ndonjë kuptim të posaçëm, e as ndonjë siguri të veçantë nga mos ndërlidhja e këtyre kahjeve operuese. Këtyre bizneseve, o duhet t’iu lejohet veprimtaria e punës të gjithëve, o duhet t’iu ndërpritet.
“Vazhdimi i mbylljes së këtyre bizneseve, brenda hapësirave të të bërit biznes, kur, aty marketet janë të mbushura përplot me njerëz, nuk e ka logjikën e parimit të thirrjes së sigurisë kundër COVID19”, ka thënë nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.