(2LONLINE) – Është hapur e thelluar shtegu i replikave që po zhvillohet në relacionin pozitë(LDK) opozitë (PDK), përkatësisht në mes të kryesueses së kuvendit të Komunës Valentina Bunjaku dhe Riad Rashiti, këshilltar i PDK-së. Sherri nisi nga seanca e fundit e KK-së kur këshilltarët e PDK-së lëshuan seancën duke u shprehur të revoltuar ndaj kryesueses të cilën e akuzuan se nuk po u jep hapësirë dhe po ua mohon të drejtën e fjalës, e pas saj kanë pasuar reagimet e kryesueses se çdo gjë është sipas rregullores për punë të Kuvendit për të pasuar pastaj kundër reagimet e palës tjetër, e kështu më radhë, herë njëra palë e herë tjetra.
Deklarimet e fundit të kryesueses së Kuvendit Komunal Valentina Bunajku mund ti shihni në këtë shkrim: Kryesuesja e KK-së: Nga Riad Rashiti, duhet të distancohet PDK
Ndërsa pas kësaj, sot kemi kundër reagimin e Riad Rashitit si më poshtë:
“Shqetësimet, nervozizmi dhe paniku nga fantazmat shihet se e kanë de-koncentruar kryesuesen e Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku, duke e harruar thelbin e ngritjes së këtij debati publik, lidhur me formën e (mos) udhëheqjes së Kuvendit Komunal nga ana e saj dhe duke e bartur këtë debat në rrafshin personal.
E nderuara kryesuese pse në reagimin tuaj “sipas Akademisë së LDK-së” nuk u more dhe nuk u përgjigje aspak lidhur me shkrimin tim të titulluar “Kryesuese mos gënje”, por u more me fantazmat e tua, sikurse kryetari i juaj i cili në secilën séance të Kuvendit Komunal ngjashëm merret me fantazma, a thua çfarë problem keni ju në këtë qeverisje?
Në vazhdimësi po përmendini disa gjëra fantome, web faqe fantome, pse ua keni frikën aq shumë. Pse më drejtoheni me shprehjen “gjuaj gurin e fsheh dorën”, apo ndoshta ende nuk kemi arritur të njihemi mirë, si kolegë të rinjë në Kuvendin Komunal.
Të informoj e nderuar, se unë jam shumë i drejtpërdrejtë dhe i hapur, nuk kam asnjë arsye të vetme që të fshihem pas dikujt, për këtë do të bindesh gjatë punës së përbashkët në të ardhmen. Mos harroni se unë drejtpërdrejtë këto çështje i kam ngritur në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, por ju nuk mundët të përballoni diskutimet e hapura dhe ju duke na e mohuar të drejtën e fjalës, na detyruat ta lëshojmë seancën, ndërsa në komunikatën për media ne e sqaruam dhe e arsyetuam këtë veprim të grupit të Këshilltarëve të PDK-së. Sepse ju na fyet neve në këtë seancë, ju fyet dy femra, dy motra dhe një nënë, duke ua mohuar fjalën në Kuvend, ju fyet institucionin më të lartë në komunë, ju fyet qytetarët e Gjilanit, ju fyet besimin e tyre.
Por nga dëshira e juaj që të tregoheni e aftë në politikë, vlerësuat dhe elaboruat edhe gjendjen e Partisë Demokratike të Kosovës dega në Gjilan, konstatuat se ne paskemi inskenuar lëshimin e seancës, si pasojë e tkurrjes së PDK-së, ndërsa të nesërmen kjo parti përnjëherë juve po ju duket aq e madhe sa e merrni të drejtën ti drejtoheni edhe me rekomandime se çfarë hapash do të duhej të bënte kjo parti ndaj meje, vërtet shumë interesante.
Po ua kujtojë e nderuara kryesuese, se me gjëra fantome keni filluar të merreni ju dhe kryetari i juaj që nga dita e parë e qeverisjes suaj me institucionet komunale. Në fjalimet tuaja publike flisni për shifra fantome të borxheve të komunës, për shifra fantome të shpenzimeve, për shifra fantome për investimet e bëra nga qeverisja e PDK-së në komunë.
Fjalitë, fantome, diet buxhetore, mentalitet qeverisës i përdorni ju për çdo ditë, zaten edhe s’jeni ka bëni tjetër gjë në komunë, bile as fjalorin tuaj nuk po mundoheni ta ndryshoni pak, e lëre më ndonjë ndryshim tjetër që do të duhej ta shihte qytetari i Gjilanit për këto katër muaj të keq qeverisjes së komunës.
Mos e harroni se unë nuk merrem me shpifje, por këtë e bëni ju dhe mentaliteti i qeverisjes suaj, e sidomos nuk merrem me shantazhime, por këtë e bënë kryetari i juaj, i cili sikurse në sancën e kaluar kur fliste sikur Gjergj Elez Alia, kundër Kadri Veselit e i cili nuk kishte asnjë arsye të fliste për te, ndërsa të njëjtën ditë ai takohet dhe darkon së bashku me Kadri Veselin në restaurantin “PURO” në Prishtinë. A thua ishte rastësi kjo, apo çfarë? Ose kjo është përgjigja kur gazetarja e “Jeta në Kosovë” e kishte pyetur kryetarin Haziri se a jeni edhe ju pjesë e SHIK-ut.
Po ashtu edhe ju znj.Bunjaku tentuat të më shantazhoni edhe mua përmes Bajram Sherifit (avokatit tuaj), i cili më ka telefonuar dje (më 17 prill) duke më ofruar një takim për marrëveshje me ju, (për këtë ekzistojnë dëshmitë e nderuara kryesuese), ose në të kundërtën më ka thënë se ajo do të iniciojë ndaj jush procedurat gjyqësore ndaj teje, ndërsa ti e dinë mirë çfarë përgjigje ke marrë nga unë përmes tij.
Në fund kërkojë që ju të merreni me punën e Kuvendit dhe po ashtu më lejo që të ju lusë për të mos u dorëzuar kaq herët dhe kaq shpejtë kryesuese, se nëse bënë gajret i ke edhe katër vjet, udhëheqje me punën e Kuvendit Komunal dhe nuk duhet ta vlerësoni të mbyllur debatin me mua, sepse ju jeni ajo që ju takon të hapni debatin për çfarëdo problematike në komunë, sepse deshe apo jo unë do të jem pjesë e Kuvendit dhe je e obliguar që ta hapësh prapë debatin, bile edhe për këtë çështje pse jo. Ndërsa për rastin e vëllait tuaj do ta diskutojmë me kismet në të ndryshme në seancën e ardhshme./2lonline/
Riad Rashiti, Këshilltar Komunal nga radhët e PDK-së